Kategoria Superiore

Shehi: Ndaj Apolonisë me shumë mungesa, të ardhmen e vendosim më vonë

Humbja ndaj Laçit ka nxjerrë Tiranën nga të gjithë objektivat dhe nesër bardheblutë do të përballen me Apoloninë në Fier, në një ndeshje pa shumë rëndësi për të dy ekipet, pasi edhe vendasit kanë rënë tashmë në Kategorinë e Parë.

Trajneri Orges Shehi doli sot në konferencën e zakonshme për shtyp, ku tha se do të udhëtojnë drejt Fierit pa disa prej titullarëve, teksa për të ardhmen tha se do të diskutojnë pas fundit të kampionatit.

Çfarë rëndësie ka përballja ndaj Apolonisë?
Është një ndeshje që vjen dy javë nga fundi i kampionatit dhe na gjen me mungesa për shkak të dëmtimeve. Calesë dhe Torasës u shtohet edhe Batha për shkak të kartonëve, por edhe Ismailgeci, të cilin nuk duam ta rrezikojmë. Megjithatë të rinjtë dhe ata që kanë luajtur më pak, do kenë mundësinë e tyre.

Ju vjen keq që keni dalë nga të gjithë objektivat dy javë para fundit?
Kemi rikuperuar shumë pikë dhe u jemi afruar objektivave. Për një gol i afrohesh objektivave dhe më pas i largohesh përsëri, megjithatë mund të them se me stafin tim nuk do bëja asgjë ndryshe.

A keni folur për të ardhmen me drejtuesit?
Tani që po mbaron kampionati do kemi kohë për të folur për të ardhmen. Kam kontratë deri më 31 maj dhe do ulemi e do flasim me presidentin. Ajo që është e sigurt është se pavarësisht se çfarë do të ndodhë, do i japim dorën njëri-tjetrit. Kur e ndërton skuadrën vetë dhe kur e merr skuadrën në mes sezoni, janë gjëra të ndryshme. Nëse do jem unë, do ndërtojmë një skuadër sipas planeve të mia, ndonëse kjo varet edhe nga lojtarët dhe ofertat. E rëndësishme është që kur e fillon vetë, merr lojtarë që i përshtaten modulit dhe skemave të tua.

Keni ndonjë pishman nga ky sezon?
Më vjen keq, se i jemi afruar shumë objektivit. Dy javë më parë u afruam shumë edhe me titullin. Kur je një hap më pranë objektivit, të vjen keq, por i tillë është futbolli. Ne do mundohemi që të fusim edhe lojtarë, që nuk kanë pasur minutat e duhura. Për shkak të situatave të caktuara, na është dashur që të përqendrohemi te lojtarët me eksperiencë.

Kush fiton titullin?
Nuk kam asnjë lloj interesi për titullin, pasi janë shumë skuadra në valle dhe për mendimin tim ta marrë ajo që e meriton më shumë. Nuk kam preferenca se kush e fiton titullin.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency