Zyrtare, Kolumbia përjashtohet si vend organizator i Copa America 2021!
Kolumbia humbet të drejtën për të organizuar Copa America 2021. Pas shtyrjes së këtij kompeticioni me një vit për shkak të pandemisë Covid-19, shteti kolumbian ka humbur mundësinë për të qenë vendi organizator i këtij eventi edhe në 2021-n, teksa do të priste gjysmat e ndeshjeve me 4 stadiume të tij. CONMEBOL, konfederata amerikano-jugore e futbollit ka dalë me komunikatë zyrtare ku ka bërë me dije se Copa America nuk do të zhvillohet në Kolumbi, për shkak të trazirave që janë krijuar atje prej protestave politike.
Qeveria kolumbiane kishte kërkuar që ndeshjet e këtij kompeticioni të shtyheshin për në nëntor, por CONMEBOL nuk mund ta bënte diçka të tillë dhe e sqaron edhe në komunikatë, ku thekson se është e pamundur për shkak të kalendarit ndërkombëtar të ndeshjeve. Për momentin vend organizator i Copa America mbetet vetëm Argjentina me 4 stadiumet e saj, por kompeticioni nuk do të zhvillohet i gjithi në Argjentinë. CONMEBOL ka bërë gjithashtu me dije se ky kompeticion do të zhvillohet normalisht në datat e përcaktuara por në një shtet tjetër të Amerikës së Jugut që do të zgjidhet gjatë ditëve në vijim.



