Java e fundit, Kastrioti i favorizuar nga rrethanat, Bylisi pret mrekullinë
Java e 35-të matematikisht përcaktoi vetëm një verdikt: Skënderbeu edhe sezonin tjetër do të jetë në Kategorinë Superiore. Në këtë mënyrë, gara për mbijetesë është reduktuar në dy skuadra për një vend, Kastrioti e Bylisi. Lufta do të bëhet për të siguruar play-out-in dhe për të evituar rënien e drejtpërdrejtë.
Në Kamzë, këto dy ekipe luajtën të premten një duel që ngjasonte me një finale mbijetesë dhe që në fund u ka dhuruar më shumë shanse krutanëve. Në një takim me shumë ngarkesë psikologjike ballshiotët shënuan shpejt, patën mundësi ta fitonin, por barazimi i Kastriotit në të vetmen tentativë e ka dërguar skuadrën e Ndreut më pranë mbijetesës.
Në javën e fundit, Kastrioti, me një pikë më shumë se Bylisi, do të përballet më Kukësin, që e ka mbyllur sezonin dhe po luan thjesht për formalitet, kështu që shanset janë të mëdha për të dalë me tri pikë pas 13 ndeshjeve pa fitore. Në anën tjetër, Bylisi do të presë Partizanin. “Demat” janë në garë për titull, por shanset janë të pakta që në fund të shpallen kampion, sepse duhet që Vllaznia-Laçi e Teuta-Apolonia të mbyllen në barazim, në këtë mënyrë edhe Bylisi me të kuqtë të trishtuar ka shansin të fitojë, por nuk varet asgjë nga këmbët e të besuarve të Dovedanit.
Për momentin, duket Kastrioti favorit për të shkuar në play-out, ku do të sfidojë njërin mes Burrelit e Tomorit, megjithatë, fjala e sigurt në futboll nuk ekziston…



