Kategoria Superiore

Tirana dhe Kukësi, dështimet e mëdha të sezonit

29 korrik 2020. Tirana festonte titullin e 25-të në histori, ndërsa Kukësi e mbyllte si nënkampion i Shqipërisë. Në Europë bardheblutë shkuan deri në play-offi-n e Europa League-s, ndërsa verilindorët kaluan Slavian e Sofies dhe u eliminuan nga gjermanët e Wolfsburgut. Në letër shumë specialistë i cilësonin si skuadrat favorite për titull, por në fund renditja thotë: Tirana në vendin e 5-të, Kukësi në vendin e 6-të. Çfarë ndodhi me kampionen dhe nënkampionen e Shqipërisë?

Arsyeja më kryesore, ndryshimet. Të dy ekipet u prekën në organikë dhe në drejtim. Ego u shkarkua shumë shpejt, erdhi Dede, që qëndroi për rreth 10 ndeshje, dhe në fund Shehi që shpëtoi atë që mund të shpëtohej nga ky sezon. Presidenti Halili pas derbit të fundit e mori përsipër krejtësisht i vetëm faturën, sepse ndryshimet vijnë nga lart -poshtë. U larguan Muça, Doka, Ngoo e Cobbinah dhe më vonë edhe Muçi.

Pa diskutim që mungesa e Vangjelit, për arsye personale, dhe ato të Çelhakës, Cales e Torasës për shkak dëmtimi ndikuan, megjithatë investime nuk është se nuk u kryen, por nuk sollën atë që shpresohej dhe pozicioni numër 5, ashtu si vetë presidenti e deklaroi, është një dështim.

Akoma më keq për Kukësin. Edhe blutë bënë ndryshime, u larguan Shkurtaj, Rroca, Abazaj, Gavazaj, Et’hemi, Musolli, Maliqi, Teqja e Musta. Kaq shumë lojtarë me cilësi nuk u zëvendësuan me po aq cilësi, përjashto Ibraimin, Ezen, e ndoshta Taipin e Demirin, nuk pati ndonjë prurje e nivelit të lartë, e në vetvete edicioni ishte zhgënjyes me Kukësin që për herë të pare, që kur u ngjit në Superiore në 2012-ën, nuk ia doli të siguronte një vend në kompeticionet europiane.

Se si do të operojnë këtë verë dy klubet, për këtë duhet të shqetësohen drejtuesit respektivë, sepse 5 dhe 6 nuk janë numra entuziastë për dy klube pretendente.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency