Enrique shpall listën e Spanjës, lë jashtë kapitenin e Realit
Edicioni i 90-tw i Ligës Spanjolle sapo u mbyll me kurorëzimin e Atletikos së Madridit, që fitoi titullin e parë që nga viti 2014 dhe të 11 në historinë e klubit dhe pa humbur kohë trajneri Luis Enrique shpalli listën e futbollistëve të seleksionuar prej tij, për të përfaqësuar Spanjën në fazën finale të kampionatit të ardhshëm evropian, që do të zhvillohet nga 11 qershori deri më datën 11 korrik.
Për habinë e të gjithëve seleksionuesi i kombëtares spanjolle, që pozicionohet në vendin e gjashtë në klasifikimin e përgjithshëm të FIFA-s, ka preferuar për të thirrur në përfaqësuese vetëm 24 lojtarë, nga 26 që lejon FIFA, por mbi të gjitha bën përshtypje vendimi i trajnerit asturian për të mos grumbulluar në skuadër kapitenin Sergio Ramos. 35-vjeçari andaluzian është futbollisti që ka veshur më shumë herë fanellën e “La Roja”-s, plot 180 herë. Mbrojtësi i mirënjohur debutoi në përfaqësuese në 2005 në moshën 18-vjeçare dhe u bë lojtari më i ri i kombëtares spanjolle që regjistroi 100 takime me “Furinë e Kuqe”.
Në fundin e muajit mars Sergio Ramos u ngjit në kuotën e 180 ndeshjeve me kombëtaren e vendit të tij dhe gjatë këtyre 16 vjetëve që është aktivizuar me Spanjën kapiteni ka shënuar gjithashtu edhe 23 gola. Dy muaj më parë qendërmbrojtësi i famshëm zbriti në fushë si titullar në “Estadio Los Carmenes”, në Granada në takimin me Greqinë dhe kapiteni luajti vetëm për një pjesë loje, duke u zëvendësuar që në interval nga Inigo Martinez, kur “La Roja” kryesonte 1-0, ndeshje ku gjithsesi ekipi helen ia doli të barazonte me një 11-metërsh në fraksionin e dytë. Në Tbilisi, në suksesin 2-1 me Gjeorgjinë. Ramos qëndroi gjatë gjithë kohës i ulur në stol, ndërsa në sfidën e Seviljes me Kosovën 35-vjeçari preku tapetin e blertë vetëm në 86’, për të zëvendësuar mbrojtësin tjetër Eric Garcia.
Sergio Ramos është persekutuar nga dëmtimet e shumta gjatë sezonit 2020-21. Viti 2021 ka qenë një vit vërtet i mallkuar për mbrojtësin veteran, që ka zhvilluar vetëm tri ndeshje të plota gjithsej. Bëhet fjalë për sfidën me Osasunën në Pamplona, më datën 9 janar, përballjen me Athletic Bilbaon në Superkupë, në fazën gjysmëfinale pesë ditë më vonë, si dhe duelin e kthimit me Chelsea-n në “Stamford Bridge”, në Champions, ndërkohë Ramos është aktivizuar gjithashtu edhe në mesin e muajit mars, për një orë lojë me Elchen në Primera Division si dhe tre ditë më pas 63’ me Atalantën, në takimin e dytë të fazës së 1/8.
Pra që nga fundi i muajit mars kapiteni i Spanjës ka zhvilluar vetëm një ndeshje në total, atë me blutë e Chelsea-t në Londër. Mungesa e madhe e 35-vjeçarit andaluzian konfirmon gjithashtu edhe faktin që në Pan – Evropianin e këtij viti nuk do të ketë asnjë futbollist nga klubi i Realit të Madridit, sepse trajneri asturian ka lënë jashtë edhe mbrojtësin tjetër Dani Carvajal, që ka vuajtur njësoj si edhe kapiteni Sergio Ramos gjatë këtij sezoni.
Luis Enrique ka preferuar të thërrasë në përfaqësuese mbrojtësin Aymeric Laporte. 26-vjeçari ka lindur në Akuitaninë e Re, në jugperëndim të Francës dhe është aktivizuar me të gjitha skuadrat zinxhir të moshave të këtij vendi, sidoqoftë kërkesa e tij për të kaluar nga Franca te Spanja u aprovua nga FIFA dhe mbrojtësi i Manchester City-t tani mund të luajë pikërisht për “Furinë e Kuqe”.
Laporte është 1 nga 10 futbollistët e përzgjedhur nga Luis Enrique nga Premier League, ku përfshihen gjithashtu edhe portieri i Brightonit, Robert Sanchez, mbrojtësi i Leedsit, Diego Llorente si dhe sulmuesi i Wolves, Adama Traore. Trajneri asturian ka lënë jashtë portierin më të shtrenjtë në planet, “gardianin” e Chelsea-t Kepa Arrizabalaga, megjithatë 51-vjeçari nga Gijoni ka befasuar jo pak gjithashtu edhe me thirjen në ekipin përfaqësues të 29-vjeçarit të Paris SG Pablo Sarabia, që numëron vetëm 3 ndeshje gjithsej me fanellën e kombëtares spanjolle.
Luis Enrique u justifikua duke thënë se nuk e bën grumbullimin e futbollistëve duke parë klubet se ku luajnë, ndërsa në lidhje me lënien jashtë të qendërmbrojtësit Sergio Ramos ai shpjegoi se ka qenë një zgjedhje e fortë dhe tepër e vështirë. Enrique konfirmoi se bashkë me kapitenin kanë patur një bisedë të gjatë ditën e diel dhe trajneri i kombëtares pranoi se ishte i ndërgjegjshëm për faktin që çfarëdolloj vendimi i marrë në lidhje me Sergio Ramosin do të shkaktonte habi dhe polemika të shumta.
51-vjecari nga Gijoni shtoi se biseda mes tij dhe kapitenit ishte private dhe ai shpjegoi se nuk ka aspak ndër mend që ta ndajë atë me gazetarët. Luis Enrique vijoi duke thënë se nuk dëshiron të flasë për seleksionin e Spanjës për Lojërat Olimpike të Tokios dhe ai qartësoi se në përfaqësuese ka thirrur pikërisht lojtarët që ndihen më mirë dhe një zgjedhje të tillë e ka bërë pikërisht për të mirën e kombëtares spanjolle.
Trajneri i “La Roja”-s tha se ka edhe 3-4 futbollistë të tjerë që meritojnë të jenë në këtë listë, por ai mbrojti vendimin e tij për të grumbulluar vetëm 24 lojtarë dhe jo 26, sa ç’nevojiten në listën e federimeve për kampionatin e 16-të evropian.
Spanja pritet të ketë probleme në krahun e djathtë të mbrojtjes, për shkak të mungesave. Luis Enrique ka grumbulluar 3 portierë, 7 mbrojtës, 7 mesfushorë dhe 7 sulmues. Trajneri spanjoll tha se preferoi të shtonte në listë vetëm një lojtar sulmues, pasi në këtë mënyrë të gjithë lojtarët do të jenë akoma më të motivuar për të dhënë më të mirën e tyre. Sipas tij, 26 futbollistë janë shumë, pasi në të vërtetë në një aktivitet të tillë nevojiten thjesht 18 ose 19 lojtarë. Në këtë mënyrë do të ketë më pak futbollistë në seancat stërvitore dhe kështu vetëm njëri prej tyre do të përfundojë në tribunë në ditën e ndeshjeve.
Nëse do të ketë probleme me dëmtimet apo Virusin Covid – 19 atëherë mund të përfshihet një lojtar tjetër, deri 48 orë para ndeshjes së debutimit, sigurisht për të mbushur boshllëkun e krijuar.



