Arapi: Rrugën drejt titullit e nisëm me Shkëmbin, krenar që ia dolëm
Intervista e kapitenit të Teutës, Renato Arapi, dhënë për SuperSport menjëherë pas festës për titullin kampion me skuadrën durrsake.
A besonit në një arritje të tillë kur u rikthyet te Teuta?
Është një projekt 3-vjeçar, që ka nisur me Blendi Shkëmbin. Në këto 2-3 vite kemi bërë mirë, kemi fituar Kupën dhe kampionatin. Me lojtarët që erdhën në merkato, synimi ishte titulli kampion dhe fati deshi që të shpërblehemi me kampionatin në fund. Unë e kam thënë edhe herët e tjera, se ndoshta nuk është më i miri nga cilësia, por ka qenë më i luftuar. Më në fund ia dolëm ta mbyllim me sukses.
Keni ndonjë peng nga ky sezon?
Nëse nuk do e mbyllnim si duhet kampionatin, do kishim pengje. Të gjitha ekipet gabojnë, kemi shumë ndeshje që mund të kemi pengje, por shyqyr e fituam titullin.
Teuta si Skënderbeu?
Kjo varet nga shumë gjëra, pasi duhet parë buxheti për vijimësinë dhe duhet të shikohen gjëra të tjera. E kam thënë më parë që është fillimi i një cikli.
Kur e kuptuat që mund të fitonit titullin?
Pas ndeshjes së dytë me Vllaznisë, fituam dhe kjo na dha shpresë për të ardhmen. Unë e kam thënë që është më e lehtë kur ke lojtarë me eksperiencë. Kjo na i ka bërë punën më të lehtë. Harmonia e grupit ka qenë pika kryesore.
Ju trembën ndonjëherë aleancat?
Ky është kampionati që më ka shijuar më shumë, sepse nuk na kanë bërë asnjë favor dhe nuk kishim aleatë gjatë gjithë sezonit. Komplimente edhe Apolonisë për ndeshjen që bënë.



