Zyrtare/ Zidane largohet nga Reali, ja kandidatët në garë për të pasuar francezin
Zinedine Zidane nuk është më trajner i Realit të Madridit. Francezi mbylli ciklin e tij të dytë në krye të klubit “merengues”, pa mundur të fitojë qoftë një trofe këtë sezon. Në deklaratën gjigantëve spanjollë, shkruhet se e respektojnë vendimin e trajnerit për të dhënë dorëheqjen.
“Reali i Madridit njofton që Zinedine Zidane ka vendosur të përfundojë aventurën e tij si trajner i klubit tonë. Tani është koha të respektojmë vendimin e tij dhe të tregojmë vlerësimin tonë për profesionalizmin, përkushtimin dhe pasionin e tij gjatë gjithë këtyre viteve. Zidane është një nga mitet e Realit të Madridit dhe legjenda e tij shkon përtej faktit që ai ishte trajner dhe lojtar i klubit tonë. Ai e di që është në zemrën e Realit dhe se Reali është dhe do të jetë gjithmonë shtëpia e tij”.
Kandidatët kryesorë për stolin e Realit të Madridit, sipas “Marca”-s janë Raúl Gonzales dhe Antonio Conte. Për ish-trajnerin e Interit, drejtuesit “merengues” kanë shfaqur interes konkret kur larguan Lopeteguin në vitin 2018, por atëherë u zgjodh Solari. Tani Conte është i lirë, pasi u largua nga Interi vetëm pak ditë pas festoi titullin kampion të Serisë A.
Raúl është i dëshiruari nga tifozët. Në Castilla ai ka treguar aftësi si trajner dhe si menaxhues i dhomës së zhveshjes. Sapo mori drejtimin e skuadrës së të rinjve, fitoi Youth League-n e parë të Realit, ndërsa si trajner i Castillas (skuadra e dytë e Realit), ishte vetëm një fitore larg ngjitjes në Segunda. Pyetja në këtë rast është: a duhet t’i jepet mundësia siç ndodhi me Zidane kur u largua Ancelotti? Ai ka pasur ofertë nga Eintrachti i Frankfurtit, të cilën e refuzoi, ndoshta ngaqë priste largimin e Zidane.



