Merkato

Në Europian pa gjetur ende një skuadër, e ardhmja e Donnarummës një rebus

Gigio Donnarumma do të luajë Kampionatin Europian pa e ditur ende se cili do të jetë klubi ku do të vijojë karrierën. Kur kanë mbetur edhe 4 ditë nga ndeshja hapëse mes Italisë dhe Turqisë, gardiani i “të kaltërve” nuk ka gjetur ende një ekip të gatshëm t’i plotësojë pretendimet ekonomike.

Aktualisht mbrojtësi ekstrem ka kontratë me Milanin deri në fund të këtij muaji, megjithatë refuzoi ofertën e kuqezinjve për të rinovuar me 8 milionë euro në sezon dhe kjo bëri që milanezët të zgjidhin gjithçka, duke i besuar portën francezit Maignan.

Që pretendimet e dyshes Donnarumma-Raiola ishin mjaft të larta, kjo dihej dhe po konfirmohet edhe tani, sepse pavarësisht negociatave me shumë klube, deri tani askush nuk ka shprehur gatishmërinë për të paguar 10 milionë euro në sezon për portierin 23-vjeçar.

Momentalisht favorit mbetet Paris Saint Germain, për vetë faktin se drejtuesit e klubit francez kanë marrëdhënie mjaft të mira me Mino Raiolën, por vetëm pak ditë më parë Leonardo i rinovoi kontratën për tre sezone Keilor Navasit dhe mbajtja e të dyve në skuadër mund të ishte një problem.

Gjatë javëve të fundit është folur edhe për një interesim nga ana e Barcelonës dhe Juventusit për kartonin e portierit, megjithatë katalanët kanë konfirmuar gjermanin Ter Stegen edhe sezonet e ardhshme, ndërsa bardhezinjtë në Torino nuk mund t’i lejojnë vetes afrimin e një futbollisti me pagë të konsiderueshme pa shitur më parë portierin aktual Szczesny.

Ky i fundit ndërkohë i befasoi të gjithë, pasi nga grumbullimi me kombëtaren polake deklaroi se nga drjetuesit e Juves ka marrë garanci që do të mbetet numri një i portës edhe në të ardhmen, duke shuar shpresat e Donnarummës.

Megjithatë gardiani 23-vjeçar tashmë do të duhet “ta stakojë” dhe të mos mendojë fare për merkaton, pasi përpara e pret një kompeticion si Kampionati Europian 2020, ku duhet një përqendrim maksimal.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency