Mourinho zgjedh Belottin për sulmin, nisin negociatat me Torinon
Andrea Belotti duket se është i përzgjedhuri i Jose Mourinhos për të udhëhequr repartin e avancuar të Romës, skuadër që do të drejtojë sezonin e ardhshëm. Lajmi është dhënë nga mediat italiane, teksa palët kanë nisur tashmë negociatat.
Aktualisht sulmuesi është i grumbulluar me Italinë për të marrë pjesë në Kampionatin Europian, por nëpërmjet agjentit të tij ka dhënë miratimin paraprak për t’u bërë pjesë e verdhekuqve duke nisur nga kjo verë.
Kontrata e Belottit me Torinon skadon në fund të sezonit të ardhshëm dhe tentativat e skuadrës “granata” për të rinovuar, kanë dështuar, pasi sulmuesi ka qenë i prerë, duke konfirmuar dëshirën e tij për të luajtur në nivele të larta.
Pikërisht për këtë arsye presidenti Urbano Cairo ka vendosur ta shesë sulmuesin që këtë verë, për të mos e humbur me parametra zero një vit më vonë, megjithatë bosi i Torinos dëshiron që fillimisht të mbarojë Europiani, me shpresën se Belottit mund t’i rritet më shumë vlera.
Aktualisht Roma duket e predispozuar të paguajë rreth 30 milionë euro për çmimin e kartonit të sulmuesit, megjithatë situata mund të ndryshojë nëse në garë përfshihen edhe klube të tjera, që mund të krijojnë një ankand ku çmimi mund të rritet shumë më tepër.



