Dionisi largohet nga Empoli, merr vendin e De Zerbit te Sassuolo
Pas largimit të Roberto De Zerbit me destinacion Ukrainën, ku do të drejtojë skuadrën e Shakhtar Donetsk, Sassuolo ka gjetur trajnerin e ri, që do të ulet në pankinën e emilianëve sezonin e ardhshëm.
Bëhet fjalë për Alessio Dionisin, trajnerin e ri, protagonist i një sezoni fantastik me Empolin në Serinë B, që u konkretizua me ngjitjen e toskanëve në elitën e futbollit italian.
Sassuolo ia ka dalë të mposhtë konkurrencën e disa skuadrave, mbi të gjitha të Sampdorias, për të marrë Dionisin, ndërsa marrëveshja është konfirmuar edhe nga presidenti i Empolit.
Për Dionisin, Sassuolo i ka premtuar Empolit kartonin e një futbollisti të ri të talentuar, teksa i takon klubit toskan të zgjedhë mes një liste prej disa lojtarësh.



