Italia pushton kontinentin, fiton edhe Europianin në volejboll për femra
2021 duket se meriton të quhet me plot gojën si viti i Italisë dhe pas sukseseve të shumta në fusha të ndryshme, madje jo vetëm në sport, radhën për të triumfuar këtë herë e pati skuadra përfaqësuese e volejbollit për femra të këtij vendi, që u kurorëzua me titullin e kampiones së Evropës. Një trofe që i mungonte skuadrës “axurre” që nga viti 2009, por mbi të gjitha një titull që shijon vërtet shumë, pasi u fitua brenda në Beograd ndaj ekipit të Serbisë, duke marrë hak në këtë mënyrë edhe për atë eliminim të dhimbshëm në edicionin e kaluar, në fazën gjysmëfinale të këtij aktiviteti.
Në shtatorin e vitit 2019 Italia e Davide Mazzanti-t u mund 3-1 në kryeqytetin turk, në “Ankara Sport Hall” nga skuadra e drejtuar nga trajneri i mirënjohur Zoran Terzic. Dy vjet më parë Serbia siguroi kualifikimin për në finalen e madhe me rezultatin e përgjithshëm 96-88 me pikë, ndërsa në pengesën e fundit blutë ia dolën për të mposhtur Turqinë në shtëpi pas pesë seteve dhe me shifrat 15-13 në tie break. Këtë herë në finale u përballën pikërisht Italia me Serbinë dhe si për të konfirmuar njohjen shumë të mirë ndërmjet tyre vlen të theksohet fakti se këto dy vende u takuan për herë të gjashtë vetëm gjatë vitit 2021. Tre ndeshje kanë qenë thjesht miqësore, ndërsa dy sfidat e tjera në Ligën e Kombeve dhe Lojërat e 32 Olimpike.
Ekzaktësisht një muaj më parë në Olimpiadën e Tokios, Serbia e çmontoi Italinë 3-0 në fazën çerekfinale, ndërsa këtë herë gjërat morën një rrjedhë krejt tjetër. Edicioni i 32 i kampionatit evropian të volejbollit për femra u organizua në katër vende: Serbi, Kroaci, Bullgari dhe Rumani dhe pas tetë ndeshjeve të zhvilluara në grupe si dhe në fazën me eliminim të drejtpërdrejtë të drejtën për të luajtur finalen e madhe në kryeqytetin e Serbisë e merituan pra pikërisht volejbollistet vendase bashkë me lojtaret “axurre”. Përgjatë dekadës së fundit Serbia i kishte dominuar takimet ndërmjet tyre, duke fituar plot 14 nga 17 sfidat e fundit mes tyre. Vendaset u paraqitën në takimin përmbyllës në “Stark Arena” të Beogradit, përpara 20.565 spektatorëve si favorite, duke fituar 7 sfidat e fundit mes tyre radhazi dhe plot 9 nga 10 ndeshjet e fundit në të gjithë kompeticionet.
Serbia dhe Italia mbërritën deri në finalen e madhe pa asnjë humbje dhe dy trajnerët Zoran Terzic dhe Davide Mazzanti i besuan sërish zgjedhjeve të tyre më të besueshme, duke grumbulluar 11 lojtare nga skuadra e fundit kampione në fuqi, ndërsa 45-vjeçari pesarez përfshiu 9 volejbolliste nga seleksioni i evropianit të mëparshëm. Në setin e parë Serbia udhëhoqi për pjesën më të madhe të kohës dhe në fund ekipi vendas mori setin hapës 26-24, në 34’ lojë. Ky rezultoi edhe seti më i gjatë kësaj finaleje, pasi volejbollistet italiane u rritën shumë dhe e përmirësuan ndjeshëm nivelin e tyre të lojës, për të përmbysur gjithçka, duke fituar krejt takimin me shifrat e përgjithshme 99-78, përsa i përket pikaverazhit.
Rezultati i saktë i seteve në përfundim ishte 24-26, 25-22, 25-19, 25-11, në 104’ lojë dhe kështu Italia u kurorëzua për herë të tretë në volejbollin e femrave në Kontinentin e Vjetër, pas titujve të fituar radhazi në vitet 2007 e 2009. Italia përfitoi shumë nga sulmi i saj efikas dhe volejbollistet axurre fituan 12 pikë më shumë se sa rivalet e tyre në këtë element të lojës dhe plot 7 pikë më tepër vetëm nga shërbimi, ndërkohë 22-vjeçarja me origjinë nigeriane Paola Egonu meritoi çmimin MVP, si volejbollistja më e mirë e këtij kompeticioni. Me këtë titull Italia u barazua në librin e artë të këtij aktiviteti pikërisht në podium me Serbinë me 3 trofe, ndërkohë kryesojnë të shkëputur Bashkimi Sovjetik dhe Rusia, respektivisht me nga 13 dhe 6 tituj gjithsej.



