Ndërprerja në kohën e duhur, klubet e Superiores kanë të nevojshme riparimet
Skuadrat e Abissnet Superiore do të kenë një hapësirë dy javore për të bërë llogaritë për katër javët e para. Asnjë nga skuadrat nuk ia doli që të merrte maksimumin e pikëve në këtë fillim sezoni, një tregues se diferencat janë mjaft të vogla, si dhe fillimi i sezonit nuk i gjen ekipet në maksimumin e tyre. Me 11 barazime në 20 ndeshjet e para të këtij sezoni, të gjitha ekipet treguan se kanë gjëra për të rregulluar dhe mund të përmirësohen akoma dhe më shumë.
Tirana dhe Teuta ishin skuadrat që bëmë më mirë në katër xhirot e para, duke grumbulluar nga 8 pikë më shumë pikë se ekipet e tjera, e duke u renditur në dy vendet e para. Si bardheblutë ashtu dhe durrsakët ia dolën që në këtë fillim sezoni të regjistrojnë vetëm rezultate pozitive, duke marrë nga dy fitore dhe nga dy barazime, megjithatë tashmë trajnerët Shehi dhe Martini i kanë parë skuadrat e tyre e mund të korrigjojnë ato elementë që kanë nevojë për përmirësim.
Pushimi vjen në momentin e duhur dhe për Kukësin, që do ketë hapësirën e mjaftueshme për të qartësuar situatën me trajnerin Diego Longo, i cili për Super Sport vuri në diskutim të ardhmen e tij duke paralajmëruar se mund të mos jetë më trajner i verilindorëve. Kuksianët zhvillojnë një lojë zbavitëse, kanë shënuar 10 gola, më shumë se askush tjetër, por mbrojtja është konfirmuar si “thembra e Akilit”, pasi kanë pësuar 7 gola deri më tani.
Vllazni dhe Dinamo po ashtu nuk kanë pësuar asnjë humbje deri më tani, megjithatë kanë marrë nga 3 barazime e vetëm nga një fitore. Si kryeqytetasit e Bledi Shkëmbit ashtu dhe shkodranët e gjermanit Thomas Brdariç mund të shfrytëzojnë kohën e lirë që do kenë për të riparuar diçka në lojë, tashmë të njohur dhe me fytyrat e skuadrave të tyre.
Egnatia debutuese po ambientohet mirë me Superioren, duke marrë 5 pikë në katër ndeshje, me një humbje në javën e parë skuadra rrogozhinase ka pasur një paraqitje pozitive, megjithatë elita e futbollit shqiptar është një tjetër muzikë dhe një ndërprerje në këtë moment mund të jetë mundësi më e mirë për të bërë llogaritë për vijimin e kampionatit.
Partizani ende nuk ka mundur që të gëzojë fitoren e parë për këtë sezon, duke u mjaftuar me vetëm 3 pikë deri më tani. Pasi është njohur në katër ndeshjet e para, trajneri Ilir Daja do ketë detyrën për të vendosur dhe një herë piketat për ekipin e tij, për tu kthyer në rrugën e duhur. Të kuqtë duhet t’i bëjnë mirë llogaritë, pasi menjëherë pas rikthimit do takojnë Kukësin dhe më pas do luajnë derbin me Tiranën, dy takime relativisht të vështira, ndaj kjo hapësirë mund të jetë shumë e rëndësishme për Partizanin.
Të njëjtën panoramë ka dhe Skënderbeu, që po ashtu ka grumbulluar vetëm 3 pikë. Pas barazimeve me Partizanin, Egnatian dhe Vllazninë është në momenti për të analizuar ecurinë në këto hapa të parë, për të punuar më pas për sektorët ku mund të ketë nevojë për përmirësim.
Laçi edhe pse është konsideruar një nga skuadrat favorite këtë sezon, ka bërë një nisje larg pritshmërive duke marrë vetëm pikë në katër ndeshje. Mbrojtja është reparti që ka hasur më shumë probleme, pasi kurbinasit kanë pësuar 10 gola, më shumë se të gjitha ekipet e tjera të Superiore. Për Vukicevic mund të jetë momenti që i duhej, për të rregulluar diçka, që të kthejë Laçin në rrugën e duhur.
Me vetëm një pikë të grumbulluar në katër ndeshje, Kastrioti mund të jetë skuadra që e kishte më të nevojshme ndërprerjen e kampionatit, për të reflektuar për atë që skuadra ka prodhuar e si mund të gjendet formula për të gjetur rrugën drejt suksesit.
Kastrioti-Skënderbeut, Laçi-Egnatia, Teuta-Tirana, Partizani-Kukësi dhe Vllaznia-Dinbamo do jenë sfidat e xhiros së pestë, pas ndeshjeve të Kombëtares. Java e pestë e Abisnet Superiore do të rikthehet me datën 17 tetor, ku do të jetë si gjithmonë në ekranin e Super Sport.



