Futboll

Rashica për faqen e Norwichit: E nisëm nga asgjëja, përfaqësimi i Kosovës, moment krenarie

Milot Rashica ndaj Suedisë regjistron ndeshjen e 35 me përfaqësuesen e Kosovës. Në një intervistë për faqen e klubit të tij, Norwich, sulmuesi “Dardan” tregon peripecitë që ka kaluar ai dhe familja e tij për shkak të luftës në Kosovë. I lindur në Vushtrri, ai ishte vetëm dy vjeç kur bashkë me familjen e tij ishte i detyruar të largohej nga Kosova drejt në Shqipërisë, pasi popullsia e vendit u persekutua nga trupat serbe.

Ishte fillimi i një lufte për shkak të së cilës humbën jetëm me mijëra shqiptarë të Kosovës dhe ata që patën fatin të ktheheshin në shtëpitë e tyre do të gjenin pak ngjashmëri me atë që lanë pas.

“Ishte shumë e vështirë,” – tregon Miloti. “Isha dy vjeç kur filloi lufta, kështu që nuk mbaj mend shumë gjëra, por sigurisht që kemi folur me familjet dhe të gjithë njerëzit që ishin atje dhe ata e kanë ende të freskët në kujtimet e tyre luftën.

E di nga familja ime se na është dashur të largohemi nga Kosova për të shkuar në Shqipëri për të qëndruar nja dy muaj dhe pastaj u kthyem, por gjithçka ishte djegur. Shtëpia dhe gjithçka tjetër. Na u desh ta fillonim nga zeroja, ishte moment i vështirë për familjen time dhe të gjithë ne.”

Ai moment i vështirë, megjithatë, siç thekson Rashica, e ka bërë atë dhe popullin kosovar më të fortë dhe krenar për kombin e tyre.

“Mendoj se gjërat që kanë ndodhur më parë, jo vetëm për mua, por për të gjithë njerëzit nga Kosova dhe Shqipëria janë ato që na bëjnë shumë të fortë,” – vijoi Rashica. – “Tani mendoj se Kosova është një vend shumë i mirë dhe ka shumë njerëz që shkojnë për ta vizituar. Njerëzit janë miqësorë.”

Lufta ka mbaruar për Kosovën, por beteja mbetet njohja politike. Që nga shpallja e pavarësisë nga Serbia në vitin 2008, vendi ka luftuar shumë për t’u njohur si një komb i pavarur në Europë dhe më gjerë.

22 nga 27 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian e pranojnë pavarësinë e Kosovës, por ka ende vende që nuk e pranojnë, duke përfshirë tre nga kundërshtarët në grupin e tyre kualifikues të Kupës së Botës (Gjeorgjia, Greqia dhe Spanja).

Pra, kur Miloti luan për Kosovën, a merr ndonjë rëndësi shtesë për të, duke e ditur se përpjekjet e tij mund të ndihmojnë që vendi i tij të vihet në hartën e futbollit, si dhe atë politik?

“Kam qenë mes lojtarëve që kanë luajtur ndeshjen e parë zyrtare të Kosovës. Është një moment krenarie çdo here, sepse shumë njerëz kanë luftuar më parë për këtë, që ne të bëhemi të lirë dhe të luajmë e të jemi të njëjtë me vendet e tjera. Shumë njerëz vdiqën për këtë qëllim dhe sigurisht sa herë që veshim fanellat e Kosovës ndiehemi krenarë. Ne po shkojmë në rrugën e duhur. Sapo kemi filluar, emi vend shumë i ri, por kemi shumë potencial.”

Miloti gjithashtu e përshkruan Kosovën si një komb të çmendur pas futbollit. Ai thotë se kosovarët e kanë ndjekur me zell karrierën e tij që nga ditët e tij të para te Vitesse, në Holandë, e deri te sfidat me fanellën e Norëich City-t në Premier League.

“Është çmenduri, veçanërisht kur luajmë me ekipin kombëtar. Numri i njerëzve që duan të vijnë në stadium është shumë I madh. Është shumë e vështirë të gjesh bileta. Të gjithë po përpiqen për të marrë një biletë. Njerëzit në Kosovë i ndjekin shumë lojtarët nga Kosova dhe Shqipëria që luajnë në Premier League, Bundesliga apo kudo tjetër. Mendoj se kjo është ajo që na bën shumë, shumë krenarë, sepse filluam nga asgjëja dhe tani jemi këtu. Shumë fëmijë na shohin si modele dhe kjo është arsyeja pse ne duhet të punojmë shumë dhe t’i bëjmë ata të lumtur.”

 

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency