Vukiçeviç luan stolin, ndaj Egnatias për fitoren e parë
Futbolli i Superiores rikthehet me Laçin që synon të nisë një tjetër kampionat përballë Egnatias. Skuadra e Vukicevic ende nuk ka arritur fitoren e parë në këtë sezon, ku numëron vetëm 2 barazime në katër ndeshje, teksa në takimin e fundit u mposht nga Tirana, me trajnerin malazez që për të konsoliduar pozitat e lëkundura i duhet të gjejë suksesin e parë këtë të shtunë.
Pauza e kombëtareve ka ofruar kohën e mjaftueshme për të rikuperuar difektet e konstatuara dhe tanimë për Laçin nuk ka më alibi, edhe pse ky po demonstrohet një kampionat jashtëzakonisht i rivalizuar dhe Egnatia ofron një shkalë të konsiderueshme vështirësie.
Skuadra e drejtuar nga Gugash Magani, mori një fitore me shumë vlera ndaj Kastriotit, një trepikësh që i ka dhënë entuziazëm ambientit dhe falë një grupi të mirëinvestuar në merkato, ku nuk mungojnë elementët me eksperiencë që e njohin mirë Superioren, e ka nisur mjaft mirë këtë kampionat.
Për sa i përket Laçit, Vukicevic për t’ia dalë me sukses i duhet t’i japë siguri mbi të gjitha mbrojtjes. Laçi ka aktualisht mbrojtjen më të keqe të kampionatit, me 10 gola të pësuar në katër ndeshje dhe gabimet në repartin e prapavijës kanë ndëshkuar shpesh skuadrën, që ende nuk po arrin nivelin që arriti të shfaqë në ndeshjet e Europës verën e kaluar.



