Haaland çfarë lojtari, njihuni me statistikat e frikshme të norvegjezit me Dortmundin!
Erling Haaland i meriton të gjitha elozhet dhe komplimentet në këtë fillim sezoni të Bundesligas, pasi ka bërë paraqitje vërtet mbresëlënëse duke rezultuar një “makineri” golash. Edhe pse qëndroi për disa javë jashtë fushave të futbollit duke qenë një mungesë shumë e madhe për Borussian e Dortmundit dhe kombëtaren e Norvegjisë, Haaland u rikthye në fushë nga dëmtimi në mënyrën më të mirë të mundshme në sfidën ndaj Mainz teksa shënoi një dygolësh në suksesin 3-1 të Dortmundit.
Me dy finalizimet ndaj Mainz Haaland kapi kuotën e 70 golave në të gjithë kompeticionet me Dortmundin një shifër të cilën e ka arritur në 68 ndeshje të luajtura duke patur një mesatare shënimi të frikshme me më shumë se 1 gol për ndeshje me verdhezinjtë. Në këtë sezon të Bundesligas, Haaland kryeson listën e golashënuesve me 9 gola në 6 takime, 2 më shumë se Robert Lewandowski. Shifra këto që tregojnë klasin e lartë që zotëron 21-vjeçari nordik i cili me shumë gjasa do të largohet nga Dortmundi verën e ardhshme pasi hyn në fuqi kluazola prej 75 milionë eurosh, ndërkohë që në transfermarkt kartoni i tij vlerësohet plot 150 milionë euro, dyfishin e shumës me të cilën mund të largohet nga verdhezinjtë.



