Kategoria Superiore

Video/ Tafas bën heroin në fund, Partizanit i duhet të presë për fitoren e parë

Nuk ka fitues në “Air Albania”, me Partizanin e Kukësin që ndajnë nga një pikë falë barazimit 1-1 në një përballje ku të dy skuadrat shfaqën më shumë frikë për të mos humbur, sesa guxim për të marrë tre pikët, gjë që reflektohej edhe nga rastet e pakta të shënimit, e gabimet e shumta në mesfushë.

Pjesa e parë u karakterizua nga problemet teknike, ku fillimisht u raportua një problem në sistemin VAR dhe për disa minuta loja vijoi pa të, ndërsa më pas pati edhe një ndërprerje 3-minutëshe për shkak të fikjes së prozhektorëve të stadiumit, megjithatë skuadrat u rikthyen në dhomat e zhveshjes në barazim pa gola.

Edhe pjesa e dytë pati ritëm të lartë, por shumë gabime dhe pak raste shënimi, me përjashtim të një 5-minutëshi “të çmendur” ku Partizani gjeti avantazhin dhe flirtoi me të dytin, ndërsa më pas Kukësi barazoi pas një kundërsulmi perfekt me brazilianin Feijao, që ashtu si ndaj Teutës dy javë më parë, festoi sërish me simbolin shqiptar të Shqiponjës, duke konfirmuar përshtatjen perfekte në vendin tonë.

Vërshëllima finale e arbitrit la në fuqi rezultatin 1-1, me Partizanin që do të duhet të presë ende për të shijuar fitoren e parë dhe Kukësin që lë paskrahëve humbjen ndaj Teutës, për t’u ngjitur në kuotën e 8 pikëve.

 

Partizani-Kukësi  1-1  Cara 65’/ Feijao 70′  (“Air Albania” & Supersport)

Kronika e ndeshjes:

90’+7 – Mbyllet në barazim sfida në “Air Albania”., me dy skuadrat që marrin nga një pikë.

 90’+6 – Shansi i fundit i takon Partizanit, që pas një këndoreje kërcënon me një gjuajtje me kokë të Maguette nga fare pranë, por Tafas bëhet shpëtimtar, duke larguar sferën mbi kuadrat.

90′ – Akordohen 5 minuta shtesë, por bie ndjeshëm ritmi i lojës.

70’ – Goooool. Fiejao rikthen baraspeshën. Kundërsulm mjaft i shpejtë i Kukësit nga krahu i djathtë, me Milunovic që hedh një kros perfekt në zonë, aty ku Feijao gjuan saktë me kokë dhe dërgon topin në rrjetën e Alban Hoxhës. Festë me shqiponjë sërish për brazilianin e Kukësit, që duket se është ambientuar më së miri në Shqipëri.

69′ – Dy zëvendësime të menjëhershme te Kukësi. Largohen Shqiprim Taipi dhe Edi Basa, për të hyrë në fushë Puntus dhe Hila.

65’ – Goooool. Tedi Cara ndëshkon Kukësin. Pas një lëvizjeje mjaft të mirë të Kukësit nga krahu i majtë, Musta hedh një krosim perfekt për Carën, që në qendër të zonës shfaqet I lirë dhe devijon sferën për në rrjetën e portës së Tafas.

59’ – Tafas ngurron të largojë një top dhe përfiton Stenio Junior, që ia merr e gjuan menjëherë me të majtën, por sfera përfundon larg kuadratit të boshatisur.

47’ – Pjesa e dytë nis me Partizanin agresiv, pasi Cara shërbehet mirë në zonë dhe provon të godasë, por ndërhyn portieri Tafas, duke dërguara topin në këndore.

 

 – Pas 4 minutash shtesë, arbitri vërshëllen fundin e pjesës së parë, me dy skuadrat që shkojnë në dhomat e zhveshjes me barazimin e bardhë 0-0. Lojë me ritëm të lartë, por me shumë gabime dhe pak raste shënimi.

45’+1 – Pas ekzekutimit të këndores, Basha e sheh veten të lirë para Hoxhës dhe gjuan menjëherë me kokë, por ndërhyn sërish për të grushtuar kapiteni i të kuqve.

45’ – Verilindorët rikuperojnë topin në gjysmëfushën e Partizanit dhe Taipi shërben për Bashën, që hyn mirë në zonë dhe godet portën, por Alban Hoxha grushton në mënyrë vendimtare,duke u dhënë një këndore kuksianëve.

 

31′ – Tjetër defekt teknik në “Air Albania”. Fiken dritat e stadiumit dhe arbitri ndërpret ndeshjen përreth tre minuta, ndërsa më pas rregullohet gjithçka dhe rinis loja.

19’ – Rasti i parë i rrezikshëm, me Partizanin që shkon në zonën kundërshtare, aty ku Kaçe shërben për Stenio Junior, i cili gjuan menjëherë, por grushton portieri Tafas, ndërsa mbrojtja më pas largon rrezikun.

16’ – Goditje dënimi për Partizanin, që provon me një skemë, por goditja e Rrapajt është e letë dhe larg kuadratit të portës së Tafas.

14′ – Nuk ia del dot të vijojë lojën Cardoso, që pas përplasjes me Lulajn, ka kërkuar zëvendësim. Trajneri Daja hedh në fushë Carën i detyruar.

10’ – Cardoso përplaset me Lulajn dhe fiton një faull, megjithatë pëson një dëmtim në shpatull dhe kërkon ndihmën e mjekëve.

 

3′ – Ka nisur me një episod të çuditshëm supersfida Partizani-Kukësi. Arbitri kryesor i takimit thirri të dy kapitenët, për t’u treguar se për momentin sistemi VAR nuk funksionon për arsye teknike. Megjithatë ndeshja vijon, ndërkohë që pritet të rregullohet edhe problemi në sallën e lëvizshme të VAR-it. Burime për Supersport konfirmojnë se brenda nga momenti në moment sistemi VAR do të jetë funksional.

 

– Sfida starton me një minutë heshtje në nderim të punonjësit të klubit të Partizanit, Bajram Ferra, i cili u nda nga jeta një ditë më parë…

Formacionet zyrtare:
Partizani (3-5-2): Hoxha; Sota, Belica, Saliou; A. Marku, Mala, Rrapaj, Kaçe, Musta; Cardoso, Stenio Junior
Kukësi (4-2-3-1): Tafas; Peposhi, Bytyçi, Lulaj, Ndreca; Sh. Taipi, De Lucas; Gj. Taipi, Feijao, Basha; Milunoviç

Interes i ulët para ndeshjes, ja sa tifozë priten në “Air Albania”

– Të dy skuadrat janë përballur 32 herë në historinë e futbollit shqiptar, me kryeqytetasit që kanë një bilanc prej 15 fitoresh, 10 barazimesh dhe 7 humbjesh, ndërsa sa i përket golave, “të kuqtë” kanë shënuar 35 dhe kanë pësuar 25.

– Sezonin e kaluar të dy skuadrat u përballën 4 herë me njëra-tjetrën dhe nuk pati fare sfidë, pasi të gjithë ndeshjet u fituan nga Partizani, që shënoi 12 gola dhe pësoi vetëm dy.

– Partizani vjen në këtë takim pas 3 pikësh të grumbulluara në 4 javët e para, ku ka regjistruar një humbje e më pas tre barazime radhazi.

– Kukësi është skuadra që e nisi më mirë sezonin, duke grumbulluar 7 pikë në tre javët e para, por në të katërtën pësoi një humbje ndaj Teutës, që tronditi disi besimin te verilindorët.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency