Kategoria Superiore

Egnatia, surpriza e bukur e këtij kampionati!

Surpriza Egnatia. Mund të konsiderohet e tillë, e konfiguruar në sytë e opinionit sportiv si ndër të paktat skuadra të dizenjuara për të luftuar ekskluzivisht për mbijetesën. Por pas 5 javësh kampionat skuadra e Maganit e shikon veten në gjysmën e sipërme të tabelës së klasifikimit. Fitorja ndaj Laçit, dhe për më tepër në transfertë, ishte një ndër ato suksese me peshë, të afta të karikojnë edhe më tepër vetëbesim në një grup që në këtë fillim kampionati ka bërë mjaft mirë, ndoshta pikërisht për faktin se ata qëndrojnë me këmbë në tokë dhe nuk harrojnë se nga vijnë.

Merkato racionale, duke shtuar elementët me eksperiencë që e njohin Superioren, por mbi të gjitha një lojë e thjeshtë, dhe shumë efikase. Egnatia nuk hidhet në aventurë, mendon pikësëpari për të ruajtur ekuilibrat, duke pritur momentin e volitshëm për të kërkuar maksimumin. Sfida me Laçin ishte e tillë, me skuadrën e Maganit që priti pjesën e dytë për të goditur, edhe falë aftësisë së Pedro Augustos, brazilianit që po konfirmohet si lider i sulmit, me tinguj golash. Ai ndaj Laçit ishte i katërti për 22-vjeçarin në katër ndeshje të luajtura, rendiment për t’u patur zili.

Dy fitore radhazi, një ndaj Kastriotit, që mund të konsiderohet kundërshtar i drejtpërdrejtë, dhe pastaj ajo ndaj një Laçi të ndërtuar për të synuar minimumi Europën, Egnatia dalëngadalë po kthehet në surprizën e bukur të këtij kampionati.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency