Tielemans kërkon një tjetër eksperiencë, refuzon ofertën për rinovim
Youri Tielemans ka refuzuar një tjetër ofertë të Leicesterit për të rinovuar kontratën që i skadon në verën e 2023-shit, pasi duket se nuk dëshiron të qëndrojë më gjatë me fanellën e “dhelprave”.
Lajmin e kanë bërë të ditur mediat angleze, sipas të cilave belgu 24-vjeçar e ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend të rinovojë, pavarësisht shifrave të ofruara, duke “vënë me shpatulla pas murit” drejtuesit e Leicester.
Në rrethana të tilla, klubi anglez do të detyrohet të dëgjojë ofertat për mesfushorin që në muajin janar, ose maksimumi verën e ardhshme, pasi në të kundërt rrezikon ta humbë me parametra zero.
Tielemans është shndërruar në një titullar të padiskutueshëm te “dhelprat” dhe për të kanë shfaqur interes klube si Manchester United e City, por edhe Chelsea në Londër, ndërsa kartoni i tij vlerësohet rreth 50 milionë euro.



