Chelsea nuk e ndjen mungesën e sulmuesve, lumë golash ndaj Norwichit të Rashicës
Ndonëse pa asnjë sulmues roli, Chelsea nuk e ka aspak të vështirë të mposhtë Norwichin me rezultatin e thellë 7-0, teksa me fitoren e marrë pasditen e sotme në “Stamford Bridge”, provon të nisë shkëputjen në krye të renditjes.
Me Lukakun e Werner të dëmtuar ndaj Malmoes në mesjavë, trajneri Tuchel u detyrua të improvizojë në repartin e sulmit, ku aktivizoi treshen Mount-Havertz-Hudson Odoy, dhe pikërisht dy anglezët ishin ata që hapën serinë e golave, duke shënuar përkatësisht në minutën e 8’ dhe të 18’.
Pjesa e parë do të mbyllej me avantazhin e tre fishtë të londinezëve, që shënuan me anë të mbrojtësit anësor Reece James, ndërsa në të 52-tën shënoi emrin në listën e golshënuesve edhe anësori tjetër Ben Chilëell.
Norwich provoi edhe kartën Milot Rashica, pro pa rezultat e në pamundësi për të dërguar topin në portën e Mendy, miqtë shënuan në portën e vet në minutën e 56’, kur mbrojtësi Aarons devijoi në mënyrë të pafat.
Në minutën e 85-të, blutë e Londrës fituan edhe një 11-metërsh, të cilin e mori përsipër dhe e shndërroi në gol talenti Mason Mount, ndërsa në shtesë ishte sërish i njëjti që shënoi edhe golin e 7, duke kompletuar tripletën personale.
Me këtë fitore Chelsea ngjitet në kuotën e 22 pikëve, 4 më tepër se Liverpooli ndjekës, që luan nesër ndaj Manchester United në “Old Trafford”.



