Muçi e vetmja “dritë” në errësirën e Legias, pezullohen dy shqiptarët e tjerë(Video)
Momenti i errët për Legian e Varshavës në kampionatin polak vazhdon. Skuadra kryeqytetase e cila kryeson grupin C të Europa League me 6 pikë pas 3 ndeshjesh duke lënë pas Napolin dhe Leicester, po zhgënjen totalisht në kampionatin vendas teksa pësoi humbjen e 4-t radhazi të dielën në mbrëmje duke zbritur në vendin e 4-t nga fundi me vetëm 9 pikë të grumbulluara në 10 ndeshje, shumë pak për një skuadër që është kampionia në fuqi e Polonisë dhe ka bërë ligjin në Ekstraklasa gjatë këtij mijëvjeçari. Megjithatë edhe pse Legia u mposht me shifrat 4-1 nga Piast Gliëice, kjo sfidë ishte pozitive për Ernest Muçin në aspektin personal pasi sulmuesi i kombëtares Shpresa të Shqipërisë realizoi golin e vetëm për skuadrën kryeqytetase, duke ngushtuar përkohësisht shifrat në 2-1 në minutën e 21-të me një diagonale të bukur fluturimthi. Për Muçin që qëndroi gjatë gjithë 90-minutëshit në fushë ky ishte goli i 3-të në kampionat dhe i 4-ti në këtë sezon me Legian në të gjitha kompeticionet. Por nëse Muçi po kalon një moment të mirë dhe po aktivizohet rregullisht nuk është e njëjta situatë me dy shqiptarët e tjerë të Legias.
Sipas “Meczyki.pl”, Jurgen Çelhaka është pezulluar nga drejtuesit e skuadrës sepse nuk ka pranuar të aktivizohet me të rinjtë e Legias, dhe nuk iu është bindur urdhrave të trajnerit, një veprim që nuk i ka pëlqyer aspak këtij të fundit.
Gjithashtu është pezulluar edhe një tjetër shqiptar, sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës Lirim Kastrati për prishje të atmosferës brenda skuadrës së bashku me 2 lojtarë të tjerë Lindsay Rose, Mattias Johansson.
Në këtë situatë trajneri Michniewicz, ka preferuar të shkojë në ndeshjen ndaj Piast vetëm me 5 alternativa në stol, duke lënë kështu jashtë grumbullimit, lojtarët e pezulluar.



