Daja i bën analizën taktike derbit, menaxheri Dajlani: Derbi më i bukur, ai që fituam titullin!
Partizani u jep dorën e fundit përgatitjeve para derbit të kryqytetit ndaj Tiranës që do të zhvillohet sot në mbrëmje në Air Albania, sfidë në të cilën të kuqtë do të kërkojnë fitoren e parë në këtë sezon. Nga hoteli ku të kuqtë po qëndrojnë të grumbulluar, gazetari i Supersport Jurgen Zela përcolli live për publikun për disa minuta edhe analizën taktike që trajneri Daja po i bënte sfidës, me trajnerin që bashkë me futbollistët po zbërthenin me detaje sfidën e bardhebluve ndaj Laçit të fituar 2-0 nga Tirana. Për Supersport tregoi emocionet e derbit edhe menaxheri i skuadrës së kuqe Ildi Dajlani.

Ildi Dajlani:
“Shumë emocione kam përjetuar në të gjitha derbit që kam marrë pjesë, emocionet kanë qenë edhe më të mëdha pasi rezultatet në favorin tonë. Në aspektin e organizimit ka shumë impenjim kjo sfidë pasi për tifozeritë është një ndeshje e veçantë, është një festë. Është një sfidë impenjative si në bashkëpunimin me policinë etj, këtë herë e organizon klubi i Tiranës por Partizani ka qenë bashkëpunues në çdo aspekt. Skuadra është e qetë është përgatitur mirë dhe nuk ka presion. Do ta marrim thjeshtë si një ndeshje të radhës që vlen vetëm tre pikë. Derbi më emocionues ka qenë ai që kemi fituar titullin kampion pikërisht në impiantin e Tiranës Selman Stërmasi me dygolëshin e Çinarit. Nuk mund të flas për premio për të ne të rëndësishme janë vetëm tre pikët”.



