Kategoria Superiore

Statistikat e plota të javës së gjashtë/ Zotërimi i topit, goditjet e sakta apo cinizmi

Abissnet Superiore kompletoi me derbin e kryeqytetit, Tirana – Partizani 1-0, javën e gjashtë, që nuk prodhoi ndonjë rezultat befasues. Gjithsesi, analiza e shifrave jep një panoramë edhe më të qartë rreth formës apo forcës që kanë shfaqur skuadrat në fushën e gjelbër.

Tirana-Partizani 1-0: Zotërimi 61% i topit nga Partizani nuk do të thotë se të kuqtë ishin dominues në aspektet e lojës dhe meritonin fitoren. Në fund të fundit, t’i lësh zotërimin e topit kundërshtarit mund të jetë edhe strategji. Bardheblutë, përveçse shënuan me penallti, pas sinjalizimit të sistemit VAR, ishin më të rrezikshëm edhe në ato pak raste të krijuara. Partizani, nga shtatë tentativa në total, vetëm një herë e çoi topin drejt portës dhe në këtë rast pa ndonjë rrezik serioz për portierin Bekaj.

Kukësi-Vllaznia 2-0: Kjo ndeshje kishte krijuar pritshmëri të larta, sepse përballeshin dy skuadra që në javët e para kishin zhvilluar futboll cilësor. Një duel mes trajnerve të huaj Longo dhe Brdaric, i fituar pastër nga italiani i Kukësit. Verilindorët patën dominim të lehtë në zotërimin e topit e për rrjedhojë më shumë kontakt me sferën, më shumë topa të fituar dhe më pak gabime. Perla e Shqiprim Taipit bëri diferencën, ndërsa goli i Ndrecës i vuri vulën një takimi të fituar me meritë nga verilindorët.

Egnatia-Teuta 0-1: Me gati dyfishin e pasimeve të sakta të Egnatias, Teuta tregoi se kishte shumë më tepër cilësi në lojën e saj. Zotërimi i topit 60% është tregues mes skuadrave që kanë diferenca në organikë. Me shumë tentativa drejt portës nga rrogozhinasit (vetëm 1 në portë nga 10 gjuajtje), por skuadra durrsake i kishte gjuajtjet më të sakta (3 në portë nga 8 në total).

Skënderbeu-Dinamo 0-1: Korçarët, në fakt, bënë volum loje përballë një Dinamoje që në këto javë të para ka treguar se ka punuar shumë mirë në organizimin e lojës. Blutë kryeqytetas patën një dominim të lehtë sa i përket zotërimit të topit, gjithashtu edhe në goditjet drejt portës dhe në portë. Statistika këto që nuk bien në kundërshti me rezultatin përfundimtar.

Kastrioti-Laçi 0-1: Një sfidë thuajse në ekuilibër të plotë sa u përket statistikave, e vendosur pikërisht nga një episod që ndihmoi kurbinasit të merrnin fitoren e parë në gjashtë ndeshje. Laçi e ka qarkulluar më shpesh topin në të njëjtën masë kohore, edhe pse ka një epërsi të lehtë të krutanëve në tentativat drejt portës.

 

 

 

 

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency