Kategoria Superiore

Nga gjendja e skuadrës te objektivat, Josa rrëfehet për Supersport

Mirel Josa është ulur në pankinën e Laçit dhe do të debutojë nesër në përballjen ndaj të shkuarës së tij, Skënderbeut, skuadër me të cilën ka shkruar historinë e futbollit shqiptar, duke shkuar deri në grupet e Europa Leagues.

Tekniku kryeqytetas ka dhënë një intervistë ekskluzive për Supersport, ku ka folur për gjendjen e skuadrës kurbinase dhe objektivat e tij në këtë eksperiencë të re, që do të nisë zyrtarisht nesër në orën 13:45 ndaj Skënderbeut.

Si është rikthimi në Superiore, pas eksperiencës me Kukësin?
Nuk është se bëra shumë pushime pas sezonit të kaluar, ndaj tani jam këtu dhe dua të falënderoj drejtuesit e klubit, që më besuan, jam gati të bëj më të mirën, por shumë do të varet nga bashkëpunimi me presidentin, drejtuesit e futbollistët. Unë nuk qëndroj me të shkuarën, por mendoj se çfarë duhet të bëj në të ardhmen. Dua të falënderoj edhe paraardhësit e mi, për punën e mirë që kanë bërë me skuadrën dhe tani do të mundohemi të rikthehemi te rezultatet e duhura.

Si është gjendja e skuadrës në aspektin fizik dhe psikologjik?
Në aspektin fizik nuk ka shumë për të bërë, ndërsa në aspektin psikologjik skuadra nuk ka pasur shumë rezultate të mira në kampionat, megjithatë fitorja e fundit me Krujën i ka bërë mirë ekipit. Gjeta përsëri një skuadër që vinte nga fitorja dhe duhet vazhdimësi, ndaj unë mendoj vetëm për ndeshjen e radhës. Luajmë një përballje të vështirë, pasi diferencat në Superiore janë shumë të vogla dhe duhet të jemi të përqendruar maksimalisht në çdo takim.

A ka nevojë për përforcime organika e Laçit?
Nuk mund të flas për organikën, pasi do të punoj me futbollistët që kam në dispozicion, të cilët kanë shumë cilësi dhe duhet të rritim frymën e grupit. Do të mundohemi që të ndërtojmë një unitet, të cilin Laçi e ka pasur karakteristikë edhe në sezonet e kaluara. Unë i kam evidentuar këto gjëra edhe në emisionet televizive ku kam qenë, pasi Laçi është shquar për luftë sportive dhe këtë duhet të bëjmë edhe në të ardhmen. Por për të luftuar sportivisht, duhet edhe gjendje e mirë fizike, ndaj duhet të rregullojmë gjerat në lidhje me dyluftimet.

Ku synoni të arrini me Laçin?
Pozicioni nuk është i mirë, pasi këtë e tregon edhe renditja, sepse pretendimet e skuadrës janë më të mëdha. Ne duhet t’i minimizojmë gabimet dhe të jemi sa më të përqendruar për t’u përmirësuar në të ardhmen.

Cili është objektivi që u kanë vendosur nga presidenca?
Nuk është vendosur ndonjë objektiv, por thjesht drejtuesit duan të shohin skuadrën të luajë futboll dhe të marrë rezultate. Nuk ka nevojë për shumë diskutime, por vetëm për punë, në mënyrë që të përmirësohemi.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency