Memelli: U ndëshkuam nga një penallti inekzistente, ja ç’po ndodh me Berishën (Video)
Skënderbeu pëson një tjetër humbje, ndërsa edhe këtë herë trajneri Migen Memelli nuk i kurseu kritikat për arbitrimin dhe veçanërisht për penalltinë, që sipas tij nuk ishte.
“Sot ishte një ndeshje e vërtetë, por sa i përket penalltisë, nuk mendoj njësoj si në studio, pasi futbolli nuk është më balet. Kam folur edhe me mikun tim, presidentin e Laçit, i cili pranoi se nuk ishte penallti dhe kur e pranon edhe ai, është e kotë të diskutojmë. Unë kudo ku kam punuar, nuk kam qenë skllav i postit tim dhe kjo më ka ndihmuar të mos jem i kushtëzuar nga asgjë.
Neve na u komunikua sërish sot që VAR-i nuk po funksionon dhe kjo nuk është normale, pasi po penalizohemi. Shoh që na marrin për dobësi faktin që ne sillemi mirë dhe transmetojmë një kulturë në çdo ndeshje.
Sa i përket tranzicionit, është e vërtetë që po vuajmë jo pak dhe shpesh i kam tërhequr vëmendjen edhe Marës. Nuk bëmë shumë mirë në mesfushë sot, pasi na kushtëzoi edhe mungesa e Zguros, pasi Agnaldo është një lojtar më shumë teknik dhe nuk shquhet për grintën.
Pas ndeshjes me Kastriotin nuk është stërvitur dy ditë për shkak të temperaturës dhe më pas ka kryer një seancë të lehtë. Në harkun e 13 ditëve ai ka kryer vetëm katër seanca stërvitore, ndaj në këtë këndvështrim, e kemi lënë sot në shtëpi dhe i kemi lënë një program të detajuar për të rigjetur formën fizike. Nga e mërkura edhe Berisha do të ketë shanset e tij për të luajtur në formacion”, tha Memelli ndër të tjera.



