Shqipëria U-17 merr pikën e parë, barazon me Irlandën e Veriut!
Shqipëria e 17-vjeçarëve i mbylli me një barazim 2-2 eliminatoret e europianit të kësaj grup-moshe teksa u eliminua që në fazën e parë pa lënë gjurmë. Në ndeshjen e 3-të dhe të fundit në grupin 12 kualifikues, skuadra e Ervin Bulkut mori pikën e parë pasi barazoi 2-2 ndaj Irlandës së Veriut në një ndeshje të cilën po e kryesonte por nuk arriti të merrte maksimumin për të shmangur edhe vendin e fundit në grup. Pas humbjes së thellë 5-0 ndaj Italisë dhe disfatës minimale 3-2 ndaj Skocisë kuqezinjtë e vegjël bënë një paraqitje disi më të mirë këtë herë.
Në minutën e 34-t Orsi Ageja i shërbyer nga Tresa kaloi në epërsi skuadrën e Bulkut. Por në minutën e 52-të Boyd vendosi sërish baraspeshën. Gjithsesi Shqipëria U-17 po e kërkonte me ngulm fitoren në këtë sfidë dhe në të 66-ën kaloi sërish në avantazh me Haxharin. Por nuk ishte e thënë që skuadra e Bulkut të merrte suksesin e parë në grupin 12 kualifikues, dhe Irlanda e Veriut barazoi sërish me Kellyman në të 84-ën.



