Fitore historike, Jurgen Klopp mes legjendave të Liverpool: “Ekipi im si Ferrari”
Liverpool fitoi 2-0 ndaj Atletico Madrid mbrëmjen e kaluar, siguroi kualifikimin në 16 skuadrat më të mira të Champions League dhe u hakmorr ndaj kampionëve të Spanjës për eliminimin e vitit të kaluar.
Një fitore jubilare për Jurgen Klopp. Trajneri gjerman regjistroi suksesin numër 200 në stolin e “The Reds”, aty ku qëndron prej tetorit të vitit 2015.
54-vjeçari siguroi fitoren e 200-të në 334 ndeshje si trajner i Liverpool, teksa më parë e kanë arritur këtë shifër emra si Bill Shankly (407 fitore), Tom Watson (329), Bob Paisley (307) dhe Kenny Dalglish (222).
“Liverpooli im si një Ferrari? Më pëlqen ky krahasim, pasi ishim skuadra më e mirë në fushë. Ishte një mbrëmje perfekte, nuk ka qenë aspak e thjeshtë t’i shënonim pesë gola në dy ndeshje Atleticos, edhe pse mund të kishim shënuar edhe më shumë”, deklaroi Klopp.



