Conte, pas fitores ndaj Vitesses: Jam këtu për ta çuar nivelin e lojës në nivelin e klubit
Antonio Conte debutoi me fitore në stolin e Tottenhamit, por nuk mund të thuhet që dora e trajnerit italian është ndier në ekipin londinez pas vetëm një seance stërvitore. Pas suksesit të vuajtur 3-2 ndaj Vitesses, italiani deklaroi:
“Ishte një ndeshje që duhej ta fitonim. Tani duhet të fitojmë dy të fundit për të fituar grupin. I pamë vështirësitë, ishim 3-0, por më pas nuk u desh shumë për të humbur besimin dhe pësuam dy gola dhe mbetëm me 10 lojtarë. Ka punë për të bërë, ky ekip ka hapësirë të konsiderueshme për t’u rritur më tej”.
Conte thekson më tej se i duhet kohë për të përçuar idetë e tij te “Spurs”-at, por që fatkeqësisht nuk e ka.
“Më duhet të sjell idenë time për futbollin, problemi më i madh është se nuk kemi kohë, tani luajmë sërish pastaj është pauza për shkak të ndeshjeve të ekipeve kombëtare. Klubi ka infrastrukturë të jashtëzakonshme, është pronar i stadiumit, tani duhet të gjejmë ekuilibrin dhe t’i afrohemi nivelit të klubit. Erdha këtu sepse e di që mund të punoj në mënyrën time dhe jam i lumtur, por duhet kohë dhe durim dhe unë duhet të jem i pari që do të jem i durueshëm. Tek unë ndikoi vullneti i presidentit, mendoj se ai është një vizionar dhe ai doli me diçka të pabesueshme. Jam këtu për të ndihmuar Tottenhamin të rritet në nivelin e futbollit, sepse klubi është me të vërtetë në krye”.



