Kategoria Superiore

Sërish derbi Tirana-Dinamo, këtë herë në kampionat!

Sërish Dinamo – Tirana, vetëm 3 ditë pas asaj fitoreje të bujshme të bluve në 1/8 e Kupës, rivalët kryeqytetas përballen sërish në kampionat, në sfidën më interesante të javës së Abissnet Superiore. Një mundësi revanshi e shpejtë për bardheblutë, që do të kërkojnë të vijojnë ecurinë pozitive pas 4 fitoreve radhazi në kampionat për të mos kompromentuar pronësinë e kreut të klasifikimit.

Për t’ia dalë skuadra e Orges Shehit natyrisht që duhet të tregojë një fytyrë dhe mbi të gjitha shpirt tjetër nga ai i mesjavës së Kupës pas një pjese të parë të dobët nga ana e bardhebluve që pësuan dy gola brenda më pak se çerek ore lojë, duke humbur praktikisht që aty sfidën, duke merituar edhe kritikat publike të presidentit Halili që akuzoi skuadrën për nënvleftësim të kundërshtarit.

Pas dushit të ftohtë të pësuar nga Dinamo, vështirë se diçka e tillë mund të përsëritet nga 25 herë kampionët, me Shehin që i duhet të gjejë recetën e fitores. Një ndeshje ndryshe jo vetëm për sa i përket kompeticionit, por dhe interpretuesve, pasi këtë herë për Tiranën nuk do të jenë Toli dhe Ngo’o të ndëshkuar në sfidën e fundit të kampionatit.

Padyshim që Dinamo vjen me një tjetër humor në këtë përballje pas fitores së vetëm pak ditëve më parë. Një rezultat që karikon vetëbesim dhe siguri për blutë që kërkojnë ta shfrytëzojnë atë sukses për të ndërtuar një moment të mirë dhe vazhdimësinë edhe në kampionat.

Edhe në kampin e Bledi Shkëmbit problemet nuk mungojnë, me trajnerin që nuk ka në dispozicion Sofranac, element kyç në aspektin mbrojtës ndërkohë që ndeshja e mesjavës la me probleme portierin Romeo Harizaj që la sfidën në pjesën e dytë, por edhe Rimal Haxhiun. Të gjitha probleme për tu tejkaluar nga një Dinamo që kërkon të provojë stofin prej pretendenteje, një kostum që mund ta qepë pikërisht në përballje si kjo.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency