Mourinho për pazar në Londër, kërkon dy mesfushorë për Romën
Muaji i mjaltit për Jose Mourinhon te Roma ka përfunduar, pasi disa rezultate negative në kampionat dhe dy ndeshje për t’u harruar ndaj Bodo Glimt në Conference League, jo vetëm që i kanë prishur humorin, por kanë nxjerrë në pah edhe mangësitë në organikë.
Veçanërisht reparti i mesfushës është ai që po bind më pak trajnerin portugez, i cili ka besim vetëm te treshja Pellegrini, Veretout dhe Cristante, ndërsa të tjerët nuk i konsideron aspak në lartësinë e të tjerëve.
Pikërisht për këtë arsye, tekniku ka udhëzuar drejtorin sportiv të skuadrës që t’i afrojë në ekip dy mesfushorë nga kampionati anglez, konkretisht Harry Winks, që është pjesë e Tottenham dhe Ruben Loftus-Cheek, që luan me Chelsea-n.
Që të dy janë nga 26 vjeç dhe nuk shihen si titullarë të padiskutueshëm nga trajnerët përkatës, ndaj rruga për të arritur te ata në muajin janar është më e lehtë, qoftë edhe për t’i marrë në huazim me të drejtë blerjeje, formulë që preferohet më së shumti nga klubi italian.



