Vlahovic drejt Premier Leagues, klubi londinez arrin akordin me Fiorentinën
Dusan Vlahovic ka vendosur të mos rinovojë kontratën që i skadon në verën e 2023-shit me Fiorentinën dhe klubi vjollcë e ka nxjerrë në shitje, për të mos rrezikuar të humbë me parametra zero një nga sulmuesit më premtues në qarkullim.
Ka qenë vetë presidenti i klubit toskan, Rocco Commisso, që ka deklaruar se serbi është zyrtarisht në shitje, duke nisur nga merkatoja e janarit, ndërsa siç raporton Sky Sport, të parët që kanë trokitur në dyert e Fiorentinës kanë qenë londinezët e Arsenalit.
Vlahovic pëlqehet shumë nga Mikel Arteta, që është në kërkim të një bomberi, pasi Aubameyang nuk bind më prej dy vitesh dhe pikërisht për këtë arsye “topçinjtë” janë treguar të gatshëm të kënaqin Fiorentinën, duke ofruar 80 milionë eurot e kërkuara nga vjollcët.
Megjithatë një rol mjaft të rëndësishëm pritet të ketë edhe dëshira e vetë futbollistit, që nuk është se preferon Arsenalin si stacion për të vijuar karrierën, pasi është i prirur të transferohet në ndonjë tjetër klub në Itali.
Në ditët e ardhshme pritet që drejtuesit e Arsenalit të nisin punën për të joshur edhe sulmuesin serb, që nëse pranon Londrën si destinacion, mund të transferohet që në muajin janar në kampionatin anglez.



