Kalimi në Serie A, Shevchenko: Pranova menjëherë, rikthehemi të mëdhenj
Andriy Shevchenko ëshë trajneri i ri i Genoas. Ish-sulmuesi ukrainas, ka firmosur deri në vitin 2024 me klubin më të vjetër italian, ndihet i lumtur për rikthimin në Serie A, aty ku shkëlqeu me Milanin, teksa shprehet i bindur në konferencën për shtypin se do arrijë t’i rikthejë 9 herë kampionët e Italisë në nivele të larta.
“Falënderoj pronarët e klubit që më rikthyen në Itali. Ky është një moment shumë i rëndësishëm i karrierës time si trajner. Shpresoj të qëndroj sa më gjatë këtu, pasi Genoa është një klub i rëndësishëm.
Projekti më pëlqen, ndërsa objektivi primar është që Genoa të luajë sërish në Serie A sezonin e ardhshëm. E vetmja gjë di të bëj është të punoj. Do të jap gjithçka nga vetja për të ndihmuar Genoan të qëndrojë në Serie A”.
Ish-fituesi i “Topit të Artë” rrëfen se nuk iu desh shumë kohë për të pranuar ofertën e Genoas. “Pranova menjëherë, pasi kam bindjen se Genoa mund të bëjë gjëra të mëdha në Itali në të ardhmen”.
Sheva kërkon ndihmën e tifozëve, teksa zbulon se cilët janë ata trajnerë që e frymëzojnë. “Është e qartë që kemi nevojë për mbështetjen e tifozëve. Më kujtohet kur luaja këtu si kundërshtar, ka qenë gjithmonë e vështirë, luanim kundër 12 lojtarëve, pasi lojtari i 12-të ishin tifozët.
Shkolla italiane e trajningut është tepër e rëndësishme, ka qenë një eksperiencë e madhe për mua të punoja me emra si Ancelotti, Zaccheroni dhe Cesare Maldini.
Ukraina ime ka qenë një skuadër e ekuilibruar, që dinte të vuante dhe të prodhonte një futboll të bukur.
Më pret një sfidë interesante, Genoa ka qenë gjithmonë ekip agresiv, sidomos në fushën e vet. Duhet të jemi shumë të fortë mentalisht”, deklaroi Shevchenko.



