Kombëtare

Video/ Shkon gjithçka keq, Shqipëria sheh makthe në “Wembley”

Një pjesë e parë katastrofike bëri që kombëtarja shqiptare të rikthehej shumë vite përpara dhe të pësonte një humbje vërtetë të thellë, 5-0 në transfertën ndaj Anglisë. Një atmosferë e jashtëzakonshme në “Wembley”, ku të paktën 1/3-a e tifozëve ishin ata kuqezi, megjithatë gjërat në fushë nuk shkuan aspak mirë.

Fillimisht ishte Keidi Bare që “u dorëzua” për shkak të një dëmtimi, ndërsa më pas Maguire shënoi golin e avantazhit për anglezët, pas një gabimi në vendosje të kuqezinjve në goditje standarde.

Makthi nuk kishte fund, pasi në të 15-ën Myrtu Uzuni shpërdoroi një “dhuratë” të anglezëve për të rikthyer baraspeshën, ndërsa dy minuta më vonë Marash Kumbulla la fushën e lojës i dëmtuar, për t’u zëvendësuar nga Dermaku.

Nga ky moment gjithçka shkoi keq e më keq, me kuqezinjtë që nxorën topin plot 5 herë nga rrjeta deri në fundin e pjesës së parë dhe po të mos ishte për mëshirën e “tre luanëve” në 45-minutëshin e dytë, mbrëmja mund të kishte përmasa edhe më dramatike.

Gjithsesi tani nuk ka kohë për të qarë, pasi tri ditë më vonë në “Air Albania” vjen Andorra, në ndeshjen e fundit eliminatore, që duhet fituar patjetër për ta mbyllur edicionin në vendin e tretë, që ishte edhe objektivi primar i kuqezinjve.

Angli-Shqipëri  5:0  Maguire 9′, Kane 18′, 34′, 45’+1, Henderson 28′  (Wembley dhe Supersport 2)

Kronika e ndeshjes:

90’+2 – Vjen vërshëllima finale. Shqipëria mposhtet me rezultatin e thellë 5-0 në “Wembley” nga Anglia, në një ndeshje, ku gjithçka shkoi keq për kuqezinjtë…

90′ – Akordohen dy minuta shtesë…

87′ – Laçi provon nga distanca për të gjetur golin e nderit, por topi shkon lehtë në duart e portierit anglez.

86′ – Largohet Uzuni dhe në fushë zbret Odise Roshi…

74′ – Zbritje e shpejtë e anglezëve, por Strakosha ndal goditjen e Jack Grealish dhe na shpëton nga goli i 6…

66′ – Aksion i mirë i kuqezinjve, me Laçin që provon të imitojë Kane në zonë, por shkakton faull në sulm…

47′ – Presing lart i Shqipërisë. Goditje potente e Cikalleshit, por tepër qendrore dhe pret pa probleme Pickford…

46’ – Nis pjesa e dytë, Trajneri Reja lë në dhomat e zhveshjes Bajramin e Trashin, për të hedhur në fushë Ramadanin e Mihajn.

45’+1 – Vërshëllen arbitri. Mbyllet pjesa e parë me rezultatin e thellë 5-0 për Anglinë…Shkon gjithçka keq për kuqezinjtë, që humbin dy lojtarë për shkak dëmtimi dhe shpërdorojnë një rast flagrant me Uzunin, kur rezultati ishte 1-0.

45’+1 – Qershia mbi tortë. Harry Kane shënon një gol spektakolar, me një roveshiatë në zonë, që mposht për herë të pestë Strakoshën. 5-0 dhe tre gola për kapitenin e “tre luanëve”, që as në stërvitje nuk e ka ndjerë veten kaq komod.

38’ – Tjetër rast i rrezikshëm për vendasit. Kane harrohet në shtyllën e dytë dhe lëshon një diagonale të frikshme, por topi shkon ngjitur me shtyllën. Shpëtojmë me fat.

34′ – Kthehet në lojë fëmijësh. Gabon fatalisht Barjami dhe më pas Harry Kane e ka të lehtë të shënojë golin e katërt…

32′ – Goditje e bukur e Harry Kane, reagon Thomas Strakosha në mënyrë të shkëlqyer. Këndore për vendasit

28′ Sërish Anglia, shënon edhe golin e tretë. Këtë herë është mesfushori Jordan Henderson që kombinon me Kane dhe më pas mposht për herë të tretë portierin Thomas Strakosha.

27′ – Cikalleshi merr një top në gjysmëfushën kundërshtare dhe hyn në zonë, ku gjuan me të majtën, por topi shkon lehtë në duart e Pickford…

25′ – Ndëshkohet edhe Ardian Ismajli

21′ – Karton i verdhë për Cikalleshin

18′ – Na ndëshkon sërish Anglia. Pas një aksioni të shpejtë, Henderson dërgon një krosim perfekt për Kane, që e ka shumë të lehtë ta shtyjë në rrjetë, shumë pranë portës së Strakoshës.

17′ – Largohet edhe Kumbulla i dëmtuar, për t’i lënë vendin Dermakut…

14′ – Çfarë humb Uzuni. Anglezët gabojnë në një kthim topi dhe Uzuni e sheh veten i vetëm përballë portierit Pickford, por gjuan dobët dhe i jep mundësi anglezit të grushtojë. Shpërdorojmë një rast ideal për të rikthyer baraspeshën.

12′ – Largohet Bare i dëmtuar dhe në fushë hyn Qazim Laçi…

11′ – Pranë golit të dytë “tre luanët me Foden, por goditja e tij përfundon jashtë kuadratit…

9′ – Na ndëshkon Anglia në rastin e parë të krijuar. Një rreshtim i gabuar gjatë një goditjeje standarde, bëri që Maguire të gjendej i vetëm me Strakoshën dhe gjuajti saktë me kokë, për të dërguar topin në rrjetë…

9′ – Karton i verdhë për Gjasulën, për një faull ndaj Kane

6′ – Ndalet loja, pasi Keidi Bare ka nevojë për ndihmën mjekësore.

 – Starton sfida pas një minute heshtje në nderim të ish futbollistit anglez Ron Flowers, i ndarë nga jeta gjatë ditës së sotme, por edhe të “Ditës së Përkujtimit të viktimave të luftës…

Prani e lartë tifozësh shqiptarë në shkallët e “Wembley”-t, siç duket edhe në videon e transmetuar në Supersport vetëm pak minuta para startit të sfidës…

Formacionet zyrtare:

Anglia (3-4-3): Pickford; Walker, Maguire, Stones; James, henderson, Philipps, Chilwell; Foden, Kane, Sterling

Shqipëria (5-3-2): Strakosha; Hysaj, Ismajli, Kumbulla, Veseli, Trashi; Gjasula, Bare, Bajrami; Uzuni, Cikalleshi

–  Atmosferë fantastike në rrugën drejt “Wembley”-t. Të shumta edhe ngjyrat kuqezi…

– Në “Wembley” janë shitur të gjitha biletat për sfidën e sotme, teksa një pjesë e madhe e tyre janë blerë nga tifozë shqiptarë. Kjo pritet të jetë transferta me më shumë tifozë kuqezi…

– Tifozë shqiptarë të grumbulluar në hyrjen e stadiumit…

– Kuqezinjtë janë përballur 6 herë me Anglinë, 5 prej të cilave në eliminatoret e Botërorit dhe një herë tjetër në miqësore. Të gjithë ndeshjet janë fituar nga Anglia, ndërsa vlen të theksohet se kuqezinjtë nuk kanë shënuar asnjëherë në Londër.

– Anglia kryeson grupin eliminator me 20 pikë dhe një fitore sot i siguron biletën për në Katar, ndërsa Shqipëria është në vendin e tretë me 15 pikë dhe nuk e ka në dorën e saj fatin e kualifikimit.

– Trajneri Edi Reja nuk ka në dispozicion për këtë takim mbrojtësin Berat Gjimshiti, i cili nuk është rikuperuar plotësisht nga dëmtimi dhe mungon në grumbullim, ndërsa Rey Manaj nuk ka marrë ftesë.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency