Cikalleshi: Polonia pengu, pse kaluam në aventurë në Angli. Reja? Sulmojmë më shumë
Sokol Cikalleshi plotësoi numrin e kartonëve në ndeshjen me Anglinë, ndaj Andorrës nuk mund të zbresë në fushë, teksa flet për Supersport rreth ndeshjes së fundit të kombëtares në eliminatoret e Botërorit Katar 2022.
“Kur e nisëm këtë kompeticion, patjetër që qëllimi kryesor ishte të renditeshim të dytët në grup, dihej që Anglia do ishte lidere. Besoj se kemi bërë një hap pozitiv duke lënë Hungarinë pas, kështu që ta finalizojmë sot me fitore.
Humbja me Poloninë në Shqipëri? Të gjithë jemi të pezmatuar nga ajo ndeshje me Poloninë, sidomos për atë që ndodhi përpara ndeshjes. Patëm disa mungesa, kishte lojtarë me Covid, Gjimshiti u dëmtua. Jo se po të ishim ne do dilte ndryshe, por të paktën të përballeshim të plotë me Poloninë.
Ajo ndeshje është pengu i vetëm për mua, ekipin dhe stafin. Ky është futbolli, por të shohim përpara dhe të hedhim hapa pozitivë.
Analiza e ndeshjes me Anglinë? Ne kemi treguar që mund të bënim futboll ofensiv ndaj ekipeve të forta, siç ishte Polonia. Ndoshta besuam më shumë seç duhet.

Pësuam gol me goditje standate ndaj Anglisë. E kemi folur gjatë me ekipin që nuk duhet të pësojmë gola nga goditjet standarte, pasi është mungesë përqendrimi, pa i hequr meritat kundërshtarit.
Rasti i Uzunit erdhi nga presingu që bëmë lart. Nëse Uzuni do shënonte, nuk do ishte ai rezultat në pjesën e parë. Më pas erdhën shpejt golat e pësuar.
Ndaj Anglisë në Shqipëri jemi rreshtuar mbrapa, për të mos pësuar shumë. Me Rejën kemi tentuar futboll ofensiv, kemi tentuat të mbajmë topin.
Mund të ishim rreshtuar mbrapa në Angli, por na duhej fitorja, as barazimi nuk vlente. Ndoshta ajo situatë na çoi në aventurë.
Në fushën e lojës tentuam të gjithë që të ishim një grup, por duhet ta pranojmë që nuk ishim një grup i vetëm, nuk e kishim shpirtin që duhej për atë ndeshje.
E pranojmë që munguan këto gjëra, qëndrojnë kritikat, por dëshira ishte e mirë për të bërë diçka për kombin shqiptar.
Në goditjet e këndit mbulojmë një kundër një, në goditjet standarte bëjmë mbrojtje zonale. Nuk është problem taktik, por problem përqendrimi.
Një ekip i fortë, besoj që një nga arsyet pse është i fortë, është që nuk pëson gol nga goditjet standarte. Kemi pësuar herë pas here në goditjet standarte. Nuk duhet të pësojmë, kështu bëhemi ekip më i fortë”, përfundoi sulmuesi i Konyasporit.



