Katar 2022

Mancini zgjedh kundërshtarin që nuk do ta donte në play off

Italia, kampione e Europës në fuqi, e humbi me “fotofinish” kualifikimin direkt në “Katar 2022”. Barazimi pa gola në fushën e Irlandës së Veriut ka lënë një shije të hidhur te të kaltrit, që për të mos përsëritur dështimin e katër viteve më parë duhet të eliminojnë dy skuadra në play off. Një mision i vështirë, që do të varet edhe nga kundërshtarët që do të kenë përballë. Një ditë pas ndeshjes së fundit në grup, trajneri Roberto Mancini, përtej optimizmit që përcjell me fjalët e tij, e veçon një skuadër me të cilën nuk do të donte të përballej.

“Kundërshtarët në play off? Mendoj se, nëse arrijmë në mars pa lëndime, mund të ndeshemi me këdo, por nëse vërtet duhet të shmang një kundërshtar, do të thosha Portugalinë. Do të ishte e vështirë për të dyja përfaqësueset.”

Mancini, gjithsesi, e pret me optimizëm fazën play off.

“Në 40 ndeshje kemi vetëm një humbje me Spanjën, 10 kundër 11, duhet të mendojmë gjithmonë pozitivisht. Ne kemi patur shumë lëndime në një moment vendimtar, gjendja nuk ishte më e mira, por duhet të gjejmë gjithmonë zgjidhje, duke provuar edhe të rinjtë që mund të jenë të dobishëm në një vit, por është e qartë që ata duhet të luajnë më shumë, sepse, përndryshe, në nivele të caktuara nuk është e lehtë”.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency