Shkurt/ Jounihno mendon ta mbyllë me Lyonin, Eto’o për president
Juninho është gati të mbyllë misionin e tij te Lyoni. Ish-mesfushori i famshëm brazilian, tani drejtor sportiv në klubin ku u bë i famshëm, deklaroi se pas 3 sezonesh në këtë detyrë, me shumë mundësi në verë do të vendosë që të pushojë. 46-vjeçari, në një intervistë të fundit, deklaroi se nuk e ka vendosur përfundimisht dhe se në qershor do të bisedojë me presidentin Aulas, teksa pranoi se kjo detyrë ka një lodhje të madhe mendore. Ai nuk e fshehu dëshirën që në të ardhmen të bëhet trajner.

Samuel Eto’o nuk mund te qëndrojë larg botës së futbollit. Ish-sulmuesi emblematik i Barcelonës dhe Interit ka hedhur zyrtarisht kandidaturën për president të Federatës së Kamerunit me zgjedhjet që do të mbahen në dhjetor. Ai tha se ka patur pengesa për të kandiduar, por insistoi se ka refuzuar edhe postin e zv/presidentin, pasi është i bindur se do të zgjidhet në krye të këtij institucioni. Zgjedhjet vijnë në një moment delikat, kur Kameruni do të organizojë Kupën e Afrikës më 9 janar deri në 7 shkurt të 2022.

Bayerni i Mynihut ende nuk po arrin një marrëveshje me Niklas Sule për zgjatjen e kontratës. Mbrojtësi gjerman mund të largohet me parametër zero verën tjetër siç veproi Alaba dhe drejtuesit janë të shqetësuar se mos e humbasim, pasi është i rëndësishëm për Nagelsmann. Ata janë të bindur për një akord në javët e ardhshme dhe kanë rritur ofertën për 26-vjeçarin të cilit i ofrojnë 10 milionë page neto, nga 8 që e ka aktualisht, ndërsa klubet e mëdha po presin zhvillimet rreth tij.




