Foto/ Një Mendy në burg për përdhunim, dy të tjerë në siklet nga “gabimet” e mediave
Mbrojtësi francez i Manchester City-t, Benjamin Mendy vijon të jetë në burg, ku akuzohet për tre raste abuzimi seksual ndaj personave nën 18 vjeç, megjithatë fajin e tij po e vuajnë edhe dy Mendy të tjerë.
Bëhet fjalë për portierin e Chelsea-t, Edouard Mendy dhe mbrojtësin e Realit të Madridit, Ferland Mendy, të cilët kanë të njëjtin mbiemër me futbollistin e burgosur dhe media të shumta botërore kanë ngatërruar fotot.
Ka qenë gardiani i londinezëve, Edouard Mendy, që nëpërmjet rrjeteve sociale ka reaguar, duke thënë se gabimi në përzgjedhjen e fotos është përsëritur në shumë media dhe ka vënë jo pak në siklet atë dhe mbrojtësin e Realit të Madridit.
“I zhgënjyer që në Angli, por edhe në Francë, njerëzit me ngjyrë nuk kanë as emër dhe as dallime fytyre. Në disa media është dhënë lajmi i Benjamin Mendy, duke u ilustruar masivisht me foto të miat apo të Ferland Mendy dhe duket si anekdotë, por realisht është krejt e kundërta. Nuk është e vështirë të dallosh dy fytyra dhe aq më tepër kur ngjyrat e fanellës të ndihmojnë për këtë”, shkroi portieri londinez.




