“Shpiku” vdekjen e tij për të përfituar siguracionin e jetës, “ishi”-i i Schalkes e pëson keq
Hiannick Kamba ka krijuar një skenar të denjë për filma. Ish-futbollisti i ekipit të të rinjve të Schalke 04, u shpall i vdekur në vitin 2016.
Në raportin zyrtar ishte shkruar që 35-vjeçari nga Kongo kishte ndërruar jetë si pasojë e një aksidenti me makinë në vendlindje.
Një histori e trilluar në bashkëpunim me bashkëshorten e tij, me qëllimin e vetëm për të përfituar miliona nga sigurimi i jetës.
Bild raporton se Christina Von G kërkoi 3.36 milion paund për “vdekjen” e burrit të saj. Kjo kërkesë u refuzua dhe ajo përfundimisht pranoi pagesën prej pak më shumë se 1 milion £.
Në vitin 2018, Kamba u shfaq në ambasadën gjermane në Kinshasa, kryeqytetin e Kongos, për të raportuar se ishte gjallë dhe gëzonte shëndet të mirë.
Ai pretendonte se ishte braktisur nga miqtë e tij në vitin 2016, duke përfunduar pa dokumenta, para dhe celular.
Hiannick u kthye në Gjermani dhe, në vitin 2019, u gjet duke punuar si teknik kimik në një furnizues energjie në Ruhr.
Një hetim u nis shpejt për Kamba dhe gruan e tij, me ish-mbrojtësin e Schalke që pretendoi se ai nuk ishte në dijeni të veprimeve të gruas së tij.
Por si ai, ashtu edhe Von G janë shpallur fajtorë për mashtrim dhe tani të dy do të vuajnë nga 46 muaj mes hekurave.



