Solskjaer u kërkon “besën” senatorëve për të shpëtuar “kokën”
Ole Gunnar Solskjaer ka zhvilluar një takim të rëndësishëm me lojtarët e tij më veteranë në përpjekje për t’u kthyer te rezultatet dhe sigurisht për për të shpëtuar punën e tij. Sipas “Daily Mail”, trajneri norvegjez ka biseduar gjatë me kapitenin Harry Maguire dhe pasha të tjera të rënda si Cristiano Ronaldo, Bruno Fernandes, Luke Shaw, Victor Lindelof dhe Nemanja Matic në një takim që u zhvillua në orën 10:00 në qendrën sportive Carrington.
Trajneri 48-vjeçar mësohet se u ka treguar lojtarëve të sipërpërmendur planin se si Manchester United mund ta kthejë sezonin dhe planin taktik, pasi kaloi në një mbrojtje prej tre në tri ndeshjet e fundit. Solskjaer pret vetëm fitoren në ndeshjen e së shtunës në fushën e Watfordit, pas një serie prej gjashtë humbjesh në 12 ndeshje, duke përfshirë disfatat kundër Liverpoolit dhe Manchester City-t.
Solskjaer është në një situatë delikate dhe hyn në një fazë të sezonit ku do të përballet me Chelsea-n, Arsenalin dhe Villarrealin.



