Kategoria Superiore

Gurishta: Nesër është finalja jonë, tifozët të na përkrahin edhe në momente të vështira

Kapiteni i Vllaznisë, Erdenis Gurishta ka dalë ditën e sotme në konferencë për shtyp teksa ka folur për ndeshjen e nesërme të kampionatit ndaj Kastriotit. Për mbrojtësin e krahut të djathtë, ndeshja e nesërme është si një finale ndërsa shton se Vllaznia do të kthehet shpejt te rezultatet pozitive.

Kastrioti është një kundërshtar i vështirë, ky kampionat ka treguar që nuk ka kundërshtar të lehtë. Të marrim një shembull, Tirana që është në vend të parë pothuajse ka bërë një fazë perfekte, por ato pikë që ka lënë i ka lënë kundër Kastriotit dhe Egnatias. Ky kampionat tregon se nuk ka ekipe të lehta, duhet marrë seriozisht ndeshja nesër dhe duhet fituar patjetër. Pushimi nga pauza e kombëtareve erdhi në momentin e duhur se ishim pas disa rezultateve jo të mira, besoj na ka vlejtur sepse të gjithë lojtarët kanë reflektuar dhe kemi kuptuar gabimet dhe tashmë jemi të motivuar për ditën e nesërme. Pushimi na bëri mirë dhe kjo u reflektua edhe në Kupë ndaj Pogradecit, nesër lojtarët janë shumë të motivuar për të marrë maksimumin.

Më pak pikë se në sezonin e kaluar- “Të gjithë jemi të vetëdijshëm se ekipi ka shumë cilësi dhe shumë forca për të dalë nga kjo situatë, jam i sigurtë se shumë shpejt do të vijnë rezultatet pozitive dhe Vllaznia do të kthehet aty ku gjithë tifozët e dëshirojnë”.

Kalendar i favorshëm- “Është e vërtetë se nga pesë ndeshjet e radhës, katër i kemi në Shkodër, por gjithsesi e them se si brenda fushë ashtu edhe jashtë saj, ne futemi në fushë për të marrë maksimumin. Të luash në Shkodër katër ndeshje, duke shpresuar edhe në përkrahjen e tifozëve do të shpresojmë të marrim maksimumin duke filluar që nesër. Ajo është finalja jonë. Tifozët i kuptoj që mund të jenë mërzitur se kanë pritur shumë prej nesh, por çfarë ka kaluar nuk kthehet më. Tifozët duhet të na japin kurajo edhe në momente të vështira, shpejt do kthehemi. Vllaznia për momentin nuk është ajo e sezonit të kaluar dhe për rrjedhojë edhe lojtarët nuk janë në formën e sezonit të kaluar. Pata një dëmtim në fillim të kampionatit, tashmë e kam kaluar dhe dita ditës po kthehem te Gurishta i sezonit të kaluar. Por, e rëndësishme është të kthehet ekipi”, u shpreh Gurishta.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency