Ndaj Kastriotit për kthesën e madhe, Vllaznia “e dënuar” të fitojë
Vllaznia kërkon të rikthehet te fitorja pas tre rezultatesh jo pozitive në kampionat, teksa në javën e fundit të fazës së parë do të ndeshet me Kastriotin. Skuadra e Thomas Brdariç synon kthesën pas kualifikimit në Kupë, ndaj krutanëve që ndodhen në vendin e fundit të klasifkimit, megjithatë të vetëdijshëm se nuk do të jetë dicka aspak e lehtë.
Me 10 pikë në 8 javë e me vendin e pestë në renditje, pritshmëritë ishin shumë më të larta për Vllazninë, që edicionin e shkuar garoi deri në limite për titullin kampion. Shkodranët këtë sezon janë mundur vetëm nga Tirana në shtëpinë e tyre, çka tregon se përapara tifozerisë shkodrane ekipi i Brdariç ka një tjetër motiv.
Në anën tjetër është Kastrioti, që pavarësisht rezultateve, arrin që të prodhojë lojë dhe anjë skuadër nuk ka mundur që të fitojë pa djersitur shumë. Skuadra e Ndreut transfertën e fundit e ka luajtur pikërisht në “Loro Boriçi” ndaj Teutës, ku arriti që të merrte një pikë ndaj kampionëve në fuqi.
Tekniku Brdariç do të ketë të gatshëm dhe braziliani Kaina dhe malazez Darko Bulatovic, ndërsa në anën tjetër Ndreu ka të disponueshëm Armando Rami dhe Abaz Karakaçi.
Krutanët duhet të lënë pas edhe eliminimin nga Kupa, ku panë Flamurtarin t’u rrëmbente kualifikimin në ndeshjen e kthimit. Me vetëm një sukses këtë sezon, krutanët synojnë që loja e mirë të shpërblehet dhe në pikë, ndaj një kundërshtari që në prapavijë ka treguar se nuk është një skuadër aq impakte sa edicionin e shkuar. Vllaznia ka pësuar 13 gola, po aq sa dhe Dinamo, duke pasur një mbrojtje më të brishtë dhe se Kastrioti e Skënderbeu që ndodhen në vendet e fundit.



