Martini para Skënderbeut: Goleadë nuk do të ketë, kampionati është si sezonin e kaluar
Trajneri i Teutës, Edi Martini ka dalë ditën e sotme në konferencë për shtyp teksa ka folur për ndeshjen e nesërme ndaj Skënderbeut. Tekniku ka theksuar se ndeshjet janë të forta, ndërsa shton se edhe ndaj Skënderbeut mund të fitohet, por jo me goleada. Sakaq, Martini nuk harron të përmendë se kampionati i sivjetshëm është shumë i ngjashëm me atë të kaluarin.
Kualifikimi në Kupë – “Ishte detyrim kualifikimi në çerekfinale, kishim fituar ndeshjen e parë. Luajtëm me gjysmë ekipi dhe jam i kënaqur, pasi na shërbente për ndeshjen e kampionatit. Pushimi na ka shërbyer për anën fizike, por kemi disa lojtarë të dëmtuar dhe na ka penguar në stërvitje”
Skënderbeu – “Ekipet janë aty-aty, edhe pse Skënderbeu është poshtë në renditje. Mos të harrojmë që javën e fundit ata fituan me Kukësin dhe kanë bërë ndeshje të mirë. Një lojtar të mungojë është shumë, jo më pesë. Gjithsesi jam i bindur që edhe ata që do të luajnë do t’i zëvendësojnë ata që mungojnë më së miri”.
Ndeshja ndaj Skënderbeut – “Është ndeshje e fortë me Skënderbeun. Mund të fitosh, por goleada nuk mund të ketë. Synimi është të fitojmë dhe do e kërkojmë nga fillimi në fund këtë gjë. E kam thënë edhe më parë që po kalojmë një tranzicion. Ekip do ringrihet fizikisht dhe do jemi në rrugën e duhur”.
Formacioni – “Normalisht e kam formacionin në kokë, pasi mund të ketë ndonjë ndryshim të vogël. Nuk kam shumë rrugëdalje, por gjithsesi e kam të qartë si do luajmë”.
Rivaliteti – “Kampionati sivjet është njëlloj si vjet. Vjet ishte Vllaznia që iku pas një faze përgatitore 3-mujore, kurse ne ishim në kupat e Europës. E morëm veten më vonë, E njëjta gjë po ndodh me Tiranën, kurse ne në Europë. Normal do ketë luhatje. Gjithsesi unë shpresoj që të bëjmë kampionatin e vjetshëm”, u shpreh Martini.



