VIDEO/ Kamberi abonohet me golin në Angli, shqiptari nxjerr në pah instiktin e sulmuesit
Florian Kamberi është duke bërë shumë mirë në Ligën e Parë angleze teksa aktivizohet me Sheffield Wednesday. Ditën e djeshme, sulmuesi shqiptar ka realizuar golin e tretë në fitoren 2-3 të skuadrës së tij në transfertë ndaj Accrington.
Realizimi ishte i një formë të veçantë duke qenë se 26-vjeçari me anë të një prekje të vetme e nxorri jashtë loje portierin kundërshtarin me sferën që u preh në rrjetë dhe ekzaltoi tifozët.
Ky ishte realizimi numër katër për Kamberin në 10 ndeshje ku është aktivizuar me Sheffield duke u shndërruar kështu në një nga lojtarët kryesorë të ekipit. Aktualisht, ekipi i Kamberit renditet në vendin e shtatë të klasifikimit dhe synon të ngjitet një nivel më lartë sezonin e ardhshëm duke u bërë pjesë e Championship. Kujtojmë se Kamberi është në pronësinë e St.Gallen në Zvicër dhe te Sheffield luan si pasojë e huazimit, por që është përshtatur në mënyrën më të mire të mundshme.



