Kategoria Superiore

VIDEO/ Barazim spektakolar, Skënderbeu frenon kampionët e Teutës

Barazim spektakolar në Kamzë mes Teutës dhe Skënderbeut, që e mbyllën 2-2 përballjen mes tyre. Ndeshja e tretë radhazi pa fitore në Abissnet Superiore për kampionët në fuqi, që ndajnë vendin e tretë me Vllazninë me nga 13 pikë, ndërsa skuadra e Migen Memellit, që tentoi deri në fund fitoren, merr një pikë me vlera për objektivin mbijetesë dhe renditet në vend të parafundit me 7 pikë.

Të parët kaluan në avantazh korçarët. Ishte minuta e 19-të kur Jean Victor krosoi nga krahu i majtë dhe Alfred Mensah dërgoi topin në trekëndësh falë një goditje fantastike me kokë. Goli i tretë sezonal në Abissnet Superiore për sulmuesin me origjinë nga Gana.

Kampionët e Edi Martinit reaguan dhe barazuan sfidën me një gol tepër të bukur pa u mbyllur pjesa e parë. Asist i Kallakut dhe gjuajtje potente e Lorenco Vilës (36’), i cili më parë dribloi Dwoumfour në zonën e Skënderbeut.

Teuta e filloi pjesën e dytë njësoj siç mbylli të parën. Sërish Lorenco Vila autori i golit (48’), që u konfirmua edhe nga VAR-i. Durrsakët e ulën disi ritmin pas avantazhit, ndërsa Skënderbeu nuk u dorëzua dhe nisi sulmet drejt portës kundërshtare.

Elvi Berisha pretendoi për penallti, por Enea Jorgji gjykoi se sulmuesi anësor i Skënderbeut ishte në pozicion të parregullt, pasi pa rastin në monitorin e VAR-it.

Skënderbeu nuk u demoralizua dhe ia doli të gjejë golin e barazimit me anë të Melos Bajramit (78’), i cili kishte pak çaste që ishte futur në fushë. Mbrojtësi dardan shfrytëzoi një kros të ardhur nga goditja e dënimit, kërceu më lart se mbrojtja vendase dhe dërgoi me kokë topin në rrjetë.

Të dy skuadrat u hapën, tentuan golin e fitores në minutat e mbetura, gjuajtja fantastike e Kallakut u ndal nga Rexhepi, teksa as 7 minutat shtesë nuk prodhuan më gola dhe Teuta e Skënderbeu ndanë nga një pikë në sfidën e fundit të fazës së parë.

Abissnet Superiore, java e nëntë
Kronika e ndeshjes

Teuta-Skënderbeu 2-2 (L.Vila 36′, 48′ / Mensah 19′, Bajrami 78′)

  90′ Teuta shumë afër golit të fitores, por Ildi Gruda bëri më të vështirën duke nxjerrë topin jashtë.

 87′ Iluzione goli në Kamzë. Elvi Berisha godet fort nga një pozicion i pjerrët, topi kalon ngjitur me shtyllën.

 86′ Gjuajtje shumë e bukur e Sherif Kallakut, reagon në të njëjtën mënyrë portieri Rexhepi, që devijon në këndore.

 78′ Skënderbeu barazon ndeshjen. Melos Bajrami, i cili kishte pak çaste që ishte futur në fushë, kërcen më lart se të gjithë dhe realizon me kokë.

 70′ Skënderbeu pretendon për penallti në dy raste brenda të njëjtit aksion. Elvi Berisha protagonist në krahun e majtë, në fillim pretendon për një prekje me dorë nga Aleksi, ndërsa më pas pengohet në më nyrë të parregullt. Enea Jorgji sheh rastet në VAR, nuk ka penallti.

 58′ Skënderbeu shumë pranë barazimit. Mensah shfrytëzon një top të ardhur nga krahu i majtë, por topi ndalet në traversë, ndërsa Meksi nuk përfiton nga topi i rikthyer dhe e dërgon mbi tra.

 48′ Teuta në avantazh. Ekipi durrsak e ka nisur me gol pjesën e dytë. Lorenco Vila mposht me një kthesë të befasishme portierin Rexhepi dhe i dhuron avantazhin ekipit të tij.

 36′ Kampionët gjejnë golin e barazimit. Asisti i Kallakut, Lorenco Vila shmang në zonë Dwoumfour dhe lëshon një “predhë” me të majtën që ndalet në rrjetë.

 26′ Teuta pranë barazimit. Krosim i Idrizajt nga e majta, por Blerim Kotobelli godet keq me kokë, duke humbur një shans të mirë për të barazuar shifrat.

 19′ Skënderbeu në avantazh. Kros i bukur i Jean Victor nga e majta dhe finalizim fantastik me kokë i Alfred Mensah, i cili mposht Qirkon dhe nis festën me shokët e skuadrës.

 11′ Jean Victor lëviz bukur në krahun e majtë dhe dhuron një pasim për Vangjelit, diagonalja e të cilit është e gabuar. Aksioni anulohet për pozicion të parregullt të Victor.

 8′ Teuta në sulm. Sherif Kallaku futet në zonën korçare, por gjuajtja e tij është për t’u harruar.

 Ka filluar ndeshja në stadiumin e qytetit të Kamzës.

Teuta pret Skënderbeun në Kamëz, teksa durrsakët kërkojnë të rikthehen te suksesi pas humbjes së fundit ndaj Laçit. Trajneri Edi Martini ka vendosur edhe për formacionin zyrtar, teksa në kampin durrsak vuajnë mungesat e shumta si pasojë e pezullimeve apo dëmtimeve (Selmani, Jackson, Aquah, Aleksi, Zogaj, Kapllani).

Kështu, në fushë nga minuta e parë ka vend për Beqjan, Idrizajn ndërsa ka vend edhe për Lorenco Vilën. Nga ana tjetër, Skënderbeu kërkon vazhdimësinë pas triumfit ndaj Kukësit, teksa trajneri Migen Memelli i ka besuar në fazën ofensive të zakonshmit Mensah.

Teuta: Qirko, Ivanovic, Kotobelli, Idrizaj, Todorovski, E.Vila, Beqja, L.Vila, Kallaku, Koubemba, Giorgev. Trajner: Edi Martini

Skënderbeu: Rexhepi, Zguro, Vitija, Jean Victor, Berisha, Sadriu, Dwumfour, Vangjeli, Meksi, Mensah, Moraes. Trajner: Migen Memelli

Arbitër: Enea Jorgji Asistentë 1: Astriti Mahmuti Asistentë 2: Marjus Qose Arbitër i katërt: Blerim Ziri VAR: Kreshnik Cjapi AVAR: Mario Shazivari.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency