Rikthimi te dygolëshi, objektivat dhe pozicioni i preferuar: Rrëfehet Lorenco Vila
Lorenco Vila shënoi golat e Teutës në barazimin 2-2 kundër Skënderbeut. 22-vjeçari nuk realizonte dy gola në Abissnet Superiore prej 24 korrikut të vitit 2020 (Flamurtari-Teuta 2-3).
Sulmuesi anësor ndihet i lumtur për golat, por i trishtuar për mungesën e fitores. Gjithsesi, Vila shfaqet optimist në prononcimin e dhënë për emisionin “Gol pas Goli” në Supersport, duke deklaruar se Teuta do të rikthehet shpejt te fitorja në kampionat.
“Jam i lumtur për golat, por jam tepër i mërzitur që lamë dy pikët në këtë ndeshje. Shpresoj të mos i bëjmë këto gabime në ndeshjen e radhës dhe të rikthehemi te fitorja.
U lëndova në momentin më të mirë, qëndrova 3 muaj pushim, tani jam rikthyer në formë dhe shpresoj të ndihmoj Teutën, pasi nuk i kemi marrë pikët e duhura.
Shpresoj se do arrij kuotën e golave që kam shënuar vjet, por më parë dua të ndihmoj ekipin për t’u rikthyer aty ku e meriton.
Pozicioni i preferuar? Vjet kam luajtur djathtas, sepse majtas ishte Bregu. Pak më mirë ndihem majtas, por edhe djathtas nuk është se nuk ndihem mirë”, përfundoi lojtari durrsak.



