Në Spanjë janë të sigurt, Messi nuk kthehet te Barcelona
Leo Messi nuk ka ndërmend të kthehet në Barcelonë. Siç ka mësuar gazeta prestigjioze spanjolle “AS”, argjentinasi nuk po mendon për një aventurë të re në “Camp Nou”, pavarësisht fjalëve të Laportës në prezantimin e Dani Alvesit. “Nuk e përjashtoj rikthimin e Messit dhe Iniestës”, tha presidenti i Barçës.
Mediet katalane kanë qenë në unison në këtë temë, duke theksuar se 6 herë fituesi i Topit të Artë nuk mendon të kthehet si lojtar. Qëllimi i tij është të fitojë Championsin me PSG-në dhe të tentojë për herë të fundit suksesin me përfqasuesen e tij në Botërorin “Katar 2022”.
“Ai është i përgatitur mendërisht për të kaluar një sezon të vështirë me iluzionin se sukseset sportive do të kompensojnë sakrificën e tij”, shtojnë mediet katalanase.
Në kryeqytetin francez, Messi po jeton një moment të ëmbël. Këtë fundjavë ai ka hapur llogarinë e tij të golave në kampionat dhe, pak nga pak, MNM (Mbappe-Neymar-Messi) po nis të funksionojë.
“Jam shumë i lumtur për golin e parë që kam shënuar. Kishim mjaft raste. Nuk u frikësuam në asnjë moment, por rezultati erdhi pak vonë. Jam shumë i lumtur që shënova golin tim të parë në Ligue. 1”, – deklaroi Messi për “Amazon Prime Video”, pas ndeshjes kundër Nantes.



