Kategoria Superiore

Tirana për arratinë ndaj Kukësit në “Loro Boriçi”, Dinamo do rehabilitimin ndaj Egantias

Kukësi-Tirana: Në “Loro Boriçi” Kukësi do të presë Tiranën në ndeshjen e fundit të fazës së parë. Pas humbjes me Skënderbeut, verilindorët u eliminuan edhe nga Kupa e Shqipërisë e tashmë do të kërkojnë që të rikthehen tek suksesi, për të ngushtuar diferencën me bardheblutë. Skuadra e Longos nuk ka treguar të njëjtën fytyrë në javët e fundit me fillimin e sezonit dhe ndërprerja e kampionatit mund t‘u ketë shërbyer kuksianëve për të korrigjuar gabimet e bëra në takimin me Skënderbeun.

Kryeqytetasit janë skuadra më e mirë në 8 javët e para, duke e dëshmuar diçka të tillë si me lojë ashtu dhe me rezultate, pasi janë ekipi i vetëm pa humbje dhe kanë krijuar një diferencë prej gjashtë pikësh ndaj ndjekësit më të afërt, pikërisht kundërshtarit të radhës, Kukësit.

Bardheblutë ishin të detyruar që të luanin për 120 minuta, ndërsa zbritën në fushë një ditë pas Kukësit në Kupë. Kryeqytetasit nuk do të kenë të gatshëm Xhixhën, i cili u dëmtua në ndeshjen e fundit me Dinamon.

Kuksianët, në anën tjetër, do ta kenë grupin e plotë, në një nga ndeshjet me të rëndësishme të kësaj faze, që do të shërbente për të rikuperuar hendekun me Tiranën.

Në Shkodër, bardheblutë kanë marrë maksimumin ndaj Vllaznisë këtë sezon, ndërsa për skuadrën kuksiane do të jetë sfida e parë për këtë edicion në “Loro Boriçi”, që do të jetë shtëpia e radhës për verilindorët, të cilët ende presin që “Zeqir Ymeri” të bëhet gati dhe të marrë fund arratia.

Dinamo – Egnatia: Pas kualifikimit në Kupën e Shqipërisë, Dinamo synon të rikthehet tek rezultatet pozitive edhe në kampionat, ku në javën e nëntë do të sfidojë Egnatian. Skuadra e Blendi Shkëmbit ka arritur që të marrë vetëm 3 pikë në katër ndeshjet e fundit, duke dhuruar një paraqitje shumë larg pritshmërive. Në “Elbasan Arena” blutë do të sfidojnë skuadrën që ka rezultuar surprizë në këtë fazë të parë.

Rrogozhinasit kanë treguar se dinë të prodhojnë futboll dhe mund të marrin pikë ndaj çdo kundërshtari, ndërsa në këtë sfidë vijnë me moralin lart, për shkak se eliminuan Kukësin në Kupën e Shqipërisë. Në shtatë javë, skuadra e Maganit ka pësuar vetëm 1 humbje, megjithatë nuk ka mundur që të marrë asnjë fitore në tri sfidat e fundit në kampionat.

Diferenca mes dy skuadrave që kanë ardhur nga Kategoria e Parë është vetëm një pikë, me rrogozhinasit që ndodhen në vendin e gjashtë, ndërsa blutë dy pozicione më poshtë.

Dëmtimet kanë qenë problemi kryesor i skuadrës dinamovite, me Shkëmbin që nuk e ka pasur asnjëherë grupin e plotë. Negativisht mund të ndikojë dhe fakti që skuadra kryeqytetase ka zhvilluar ndeshjen e Kupës një ditë pas Egnatias, duke shtuar për më tepër që iu desh 120 minuta për të marrë kualifikimin ndaj Tiranës.

Egnatia pretendon që ta mbyllë pas asnjë humbje jashtë fushe këtë fazë të parë, teksa në tri udhëtimet e deritanishme ka mundur që të marrë 2 barazime, ndaj Tiranës dhe Partizanit, dhe një fitore ndaj Laçit.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency