Video/ Longo: Në Kupë u eliminuam padrejtësisht, Tirana nuk mund të krahasohet me Kukësin
Diego Longo i kënaqur me fitoren që Kukësi i tij mori në supersfidën ndaj Tiranës e përqëndron vëmendjen menjëherë te takimi i radhës në kampionat ndaj Egnatias duke folur edhe për eliminimin në Kupë që sipas tij ishte i padrejtë. Në mikrofonin e Supersport italiani, e komentoi kështu paraqitjen e skuadrës së tij.
“ Nuk jam dakort në lidhje me Kupën e Shqipërisë, ne shënuam dy gola, pavarsisht se u eliminuam nuk e kuptuam përse na u anullua një gol pasi kemi bërë një nga ndeshjet tona më të mirë të sezonit, ishte një eliminim i pamerituar. Ndeshja me Tiranën ishte një mbrëmje e veçantë, por vëmendja jonë shkon te ndeshja tjetër ndaj Egnatias, aty luhet sezoni jonë, pasi ne i marrim ndeshjet një e nga një”.
“ Jam shumë i kënaqur me paraqitjen e Domit dhe Gavazajt në pjesën e parë. Tirana priste që ne të sulmonim dhe qëndronte vetëm në mbrojtje, kjo është sjellja e pjesës më të madhe të skuadrave në Shqipëri. Gjithsesi në pjesën e dytë ndryshuam stilin e lojës tonë dhe për fatin e mirë arritëm ta fitonim ndeshjen”.
“ Që Tirana është e një tjetër kategorie nuk e kam thënë unë, por është një fakt sepse ka fituar 25 tituj kampion. Që Tirana është një emër i madh kjo dihet dhe të krahasohet me ekipin tonë është pak pa vend”.
“ Ndaj Teutës kishte diçka që duhet qartësuar, pozicioni im dhe disa gjëra të tjera që duheshin bërë të qarta. Që nga ajo ditë presidenti Safet Gjici u ka dhënë besim të gjithë futbollistëve por edhe stafit. Përveç futbollistëve që i kam komplimentuar gjithmonë duhet të falenderoj edhe stafin që më mbështet dhe më suporton në çdo rast, kjo është diçka që ndihmon të bëj mirë tek ky ekip”.



