VIDEO/ Daku protagonist, shënon në suksesin e Osijek! Asist dhe i kuq për Çokajn
Mirlind Daku ka shënuar golin e radhës në Kroaci. Sulmuesi i Kosovës është pjesë e Osijek, teksa sot ka realizuar golin e dytë në suksesin shtëpiak 3-1 ndaj Lokomotivës së Zagrebit.
23-vjeçari erdhi nga stoli, u fut në fushë në minutën e 79-të dhe dy minuta përpara fundit, devijoi saktë në rrjetë një top të ardhur nga krahu i djathtë dhe i dhuroi avantazhin ekipit të tij, që gjeti edhe golin e qetësisë në minutat shtesë.
Ky ishte goli i tretë sezonal në elitën e futbollit kroat për sulmuesin dardan, i cili ka shënuar edhe një gol në Kupën e Kroacisë.
Ndërkohë, miqtë nga kryeqyteti e mbyllën ndeshjen me 9 lojtarë. Mesfushori i kombëtares shqiptare, Enis Çokaj dhuroi asistin e golit të Lokomotivës, që kaloi në avantazh në minutën e nëntë me anë të Kulenovic, i cili goditi saktë me kokë topin e krosuar nga 22-vjeçari nga Malësia e Madhe.
Çokaj u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë në minutat shtesë të takimit, 21 minuta pas daljes me të kuq të nigerianit Ibrahim, me Lokomotivën që e mbylli ndeshjen me dy lojtarë më pak.



