Prishtina triumfon me “tris” dhe afrohet me kreun, Renova bie sërish në Tetovë
Fiton Prishtina në Kosovë, ndërsa Renova dështon në shtëpi në kampionatin e Maqedonisë së Veriut. Kampionët në fuqi nuk hasën probleme në Lipljan duke fituar 0-3 përballë Ulpianës, në sfidën e parë të javës së 16-të të Superiores dardane.
Leotrim Kryeziu kaloi bardhekaltrit në avantazh në pjesën e parë, Besnik Krasniqi dyfishoi në fraksionin e dytë, teksa pesë minuta përpara fundit sulmuesi 22-vjeçar gjeti golin e dytë personal dhe vulosi suksesin me “tris”.
Në shtesë, Marclei u ndëshkua me të kuq dhe Ulpiana e mbylli ndeshjen me dhjetë lojtarë. Fitorja e dytë radhazi për Prishtinën dhe vendi i katërt në renditje me 4 pikë më pak se Gjilani kryesues, që luan nesër në Podujevë.

Renova humbi 1-2 përballë Akademija Pandev të vendit të dytë, duke regjistruar disfatën e dytë radhazi në shtëpi. Miqtë realizuan dy golat e fitores me Ousman dhe Mirchevski, teksa goli i Selmanit në shtesa nuk u shërbeu vendasve.
Ekipi tetovar mban vendin e tretë në renditjen e kampionatit të Maqedonisë së Veriut, pozicion që mund ta humbasë nëse kampionët e Shkëndijës fitojnë nesër kundër Makedonija GP.





