Kategoria Superiore

Duel bomberash në Kukësi-Egnatia, verilindorët duan hakmarrjen

Kukësi përballë provës Egnatia. Në krahët e entuziazmit që karikon një fitore ndaj Tiranës kryesuese të kampionatit, skuadra e Diego Longos, do të kërkojë vazhdimësinë me një mundësi revanshi përballë surprizës së bukur të këtij kampionati, Egnatias që vetëm pak ditë më parë e eliminoi nga Kupa e Shqipërisë duke i nxjerrë verilindorët jashtë një prej objektivave sezonalë.

Fitorja 1-0 e Kukësit në ndeshjen e kthimit, nuk mjaftoi për të anulluar suksesin 3-1 të formacionit rrogozhinas në sfidën e parë, dhe tani blutë kërkojnë 3 pikë dhe një lloj hakmarrjeje ndaj formacionit të Maganit që po bën mjaft mirë në këtë kampionat përkundër cdo rivali.

Për Kukësin është momenti i duhur për të hequr pengje të tilla, suksesi ndaj Tiranës ka evidentuar forcën e skuadrës së italianit Longo që i ka dhënë një identitet të qartë dhe madje të bukur, sulmues formacionit që drejton, ku Basa po spikat si një ndër më të mirët në Superiore. Do të jetë një duel interesant mes kroatit dhe një tjetër prej sulmuesve më të mirë të këtij kampionati.

Pedro Augusto ka bërë deri më tani fatin e Egnatias, dhe për më tepër braziliani vjen i etur për të treguar sërish vlerat e tij më të mira pas asaj penalltie të humbur në ndeshjen e fundit, e cila mund të kishte sjellë fitoren ndaj Dinamos.

Skuadra e Maganit ndryshe nga Kukësi, bazohet te një lojë e kujdesshme në mbrojtje duke shfrytëzuar kundërsulmet, dhe edhe në aspektin taktik , sfida është tërheqëse si një përballje prej dy prej skuadrave më në formë të kampionatit.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency